Tërheqja e vëzhguesve, kush është Kongresi i Këshillit të Europës

AKTUALITET


Ditë e mërkurë, përmes një emaili, Kongresi i Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës ka njoftuar tërheqjen e vëzhguesve të saj për zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri. Tërheqja e vëzhguesve në moment të fundit u bë me arsyetimin e pasigurisë së vazhdueshme në lidhje me organizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 30 qershor dhe për shkak të rreziqeve të mundshme për sigurinë në disa zona të caktuara.

Kjo u pa nga kryedemokrati Basha si një sinjal i qartë i ndërkombëtarëve që nuk njohin 30 qershorin dhe se këto zgjedhje janë të paligjshme. Por ndryshe shprehet kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla i cili thotë se kjo strukturë e KiE nuk ka pasur vëzhgues as në zgjedhjet e 2017.

Po kush është në të vërtet Kongresi i Këshillit të Europës që ka tërhequr vëzhguesit e saj duke nxitur sërish retorikat e ashpra mes PS dhe PD?

Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale (CLRA) është asambleja politike gjithëpërfshirëse-europiane që përfaqëson autoritetet lokale dhe rajonale nga 47 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Roli i tij është promovimi i demokracisë dhe përmirësimi i qeverisjes lokale dhe rajonale.

Kongresi zhvillon vizita të rregullta monitoruese për të gjitha shtetet anëtare për vlerësimin e zbatimit të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale si dhe vëzhgon  zgjedhjet lokale dhe rajonale në vendet e saj anëtare.

Pra, Kongresi i Autoriteteve Lokale të KE është një strukturë e Këshillit të Evropës, por nuk është Këshilli i Europës. Megjithatë vendimi i këtij kongresi për të tërhequr vëzhguesit e saj nuk do të ndikojë në punën e monitorimit të zgjedhjeve nga OSBE, që një ditë pas zgjedhjeve raportojnë në mënyrë teknike, të paanshme dhe të pa ndikuar, të gjithë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.



Skip to toolbar