Tërmeti dhe Meta, deputetët: Nuk ia dalim dot ta shkarkojmë, duam dhe 4 muaj

AKTUALITET


Duket se tërmeti do t’i shtojë ditët presidentit Meta në krye të shtetit, pasi anëtarët e Komisionit Hetimor kanë kërkuar shtyrjen e afatit të punimeve të këtij komisioni me 4 muaj. Në mbledhjen e zhvilluar të martën, deputetët thanë se zhvillimet që pasuan tërmetin e 26 nëntorit, nuk i kanë dhënë kohën e mjaftueshme këtij komisioni për të mbledhur dhe shqyrtuar siç duhet provat, ndaj duhet të ketë një shtyrje të punimeve të tij me 4 muaj.  

Mbledhja e së martës është drejtuar nga nënkryetari i Komisionit, opozitari Alban Zeneli, i cili ka bërë këtë propozim në emër jo vetëm të opozitës por edhe të maxhorancës.

 “Ky komision dhe mazhoranca ka kërkuar një shtesë për afat kohor. Dhe për të investiguar një institucion kaq të rëndësishëm duhet më shumë kohë. Nuk e  ka patur kohën e duhur për t’u mbledhur dhe për të shqyrtuar faktet. Kjo ka ardhur edhe për shkak të gjendje në Shqipëri pas tërmetit të rënë. Është e pamundur që afati që është përcaktuar më 8 dhjetor të realizohet. Është koha e pamjaftueshme për të dalë në një kërkesë sa më të saktë dhe të drejtë ligjore.

Shtyrja me 4 muaj kërkohet për ta nxjerrë këtë punë të saktë. Mund të duhet edhe kohë tjetër madje por edhe mund ta mbyllim më para. Ky është rasti i parë i një hetimi të presidentit dhe ishallah nuk kemi më raste të tilla”, deklaroi Zeneli.

Komisioni hetimor për shkarkimin e Metës kishte afat deri më 8 dhjetor për të dalë me një raport përfundimtar nëse do të shkarkohej ose jo presidenti i republikës.

Presidentit Meta po hetohet në lidhje me dekretet që ka lëshuar për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe dekretimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Maxhoranca ka kërkuar që Presidenti të hetohet edhe për dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, për shkak se ka shkelur kushtetutën me emërimin e saj në këtë post. Pak muaj më herët presidenti Meta paralajmëroi se Shqipëria do të goditet nga një tërmet i fuqishëm, siç duket tërmeti doli në favor të tij pasi kërkohet shtyrja e vendimit për shkarkimin e tij.  



Skip to toolbar