Tërmeti “fake”, për klikime. Të rinjtë u prekën nga paniku

#NËRADAR


Debati i të hënës në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla ishte tërmeti që tronditi vendin të shtunën. Një hapësirë të rëndësishme të debatit, e ka marrë lajmi “fake news”, se të dielën në mbrëmje do të binte një tjetër tërmet i fuqishëm. Për analistin dhe gazetarin Skënder Minxhozi, lajmi nuk ka qenë i qëllimshëm, por për të marrë klikime.

“Dje është shkelur një rregull profesionalisht, mendoj unë. E para nuk mendoj dhe nuk besoj se është e qëllimshme, dhe e dyta janë shkelur rëndë kriteret dhe standardet e gazetarisë. Me sa unë e shoh nga jashtë, nga mënyra e formulimit të titullit, më duket një lajm i prodhuar për të bërë klikim. Më vjen keq që e them”, tha ndër të tjera Minxhozi.


Ndërkohë, pedagogu i Sociologjisë, Edmond Dragoti u shpreh se njerëzit e humbën orientimin. Paniku, sipas Dragotit, kap më shumë njerëzit e moshës 20-30 vjeç. “Rinia preket fillimisht, pasi morën me vete edhe moshat më të vjetra. Kur bie tërmet, bëhesh turmë dhe kur bëhesh turmë, ti nuk arsyeton, se bëhesh turmë. Dy vajzat e mia u frikësuan dhe donin që të më merrnin me vete jashtë, por  qëndrova. Mirëpo, ka që dalin”. Ndërsa për lajmin “fake neës”, Dragoti tha se veç papërgjegjshmërisë profesionale, është papërgjegjshmëri sociale.

 “Mua më duket dhe papërgjegjshmëri sociale. Veç faktit që futesh në një lajm të rremë, por nga ana tjetër të mos llogarisësh dhe pasojat e lajmit.  Duke qenë papërgjegjshmëri sociale, ai veprim ka sjellë pasojë shkatërruese për shoqërinë”, tha Dragoti. Analisti Alfred Lela, u shpreh se lajmi nuk ka pasur qëllime për përfitime politike, ndërsa theksoi se është “papërgjegjshmëri profesionale” e gazetarëve që e kanë publikuar. /Realstory.al/




Skip to toolbar