Opozita dhe mazhoranca mbeten larg dialogut, ku edhe pas tre letrave publike të Kryeministrit Rama, kryeopozitari Basha është i vendosur në kauzën e tij. Sot pasdite, opozita zhvillon protestën e radhës, ku vetë Basha e ka cilësuar protestë kombëtare. Edhe pse aleatja kryesore e PD, liderja e LSI, Kryemadhi bëri thirrje 24 orë para protestës që protestuesit të distancohen nga dhuna, Basha nuk ka bërë thirrje kundër dhunës.
E kjo duket se i ka frikësuar forcat e rendit, pasi që të premten, në institucionet kryesore, Kryeministria, Parlamenti dhe Ministria e Brendshme janë vendosur barrierat metalike. Shtyllat e ndriçimit janë lyer me graso në mënyrë që protestuesit mos të hipin në to, ndërsa Policia dhe Garda e Republikës kanë kaluar në gatishmëri.
Nga drejtuesit e policisë mësohet se rreth 1500 policisë do të angazhohen për ruajtjen e sigurisë, ndërkohë që masat janë të dukshme që mëngjesin e së shtunës, ku postblloqe janë ngritur në të gjitha rrugët hyrëse të Tiranës, ndërkohë që protesta pritet të fillojë në orën 19:00 dhe leja është marrë deri në mesnatë.
Postblloqe nuk janë ngritur vetëm në Tiranë, por edhe në rrugët kryesore, që bashkojnë Jugun, Veriun dhe Juglindjen me Tiranën. Kontrolle ushtrohen kryesisht në autobusë, ose në makina personale të mbushura me të rinj. Megjithatë, gjatë zhvillimit të protestës, forcat më shumta të policisë pritet të përqendrohen pranë kryeministrisë, ku do të dislokohen forcat speciale RENEA dhe Garda e Republikës. Sipas policisë, grumbullimet mendojnë të fillojnë pas orës 16:00, ndërsa sipas drejtueseve të partive opozitare, do të jetë protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë gjatë historisë së pluralizmit politik në Shqipëri.
Por këto masa mund të rezultojnë të panevojshme. Të paktën këtë radhë. Një burim i lartë demokrat i konfirmoi me siguri Realstory.al se protesta e të shtunës do të jetë paqësore. Mund të jetë efekti ndërkombëtar, mund të jetë një sinjal që përtej retorikës së ashpër, edhe Basha është dëshpërimisht në kërkim të një pikënisje dialogu. Por kjo së paku pritet të prodhojë një të shtunë pa incidente, ose së paku “molotov free” në rrugët e kryeqytetit.
Nga plani i organizatorëve ka pak detaje sesi do të vijojë protesta, por mësohet se Lulzim Basha do të mbajë një fjalim para Kryeministrisë dhe qëllimi kryesor i tyre, ashtu siç është deklaruar nga kryeopozitari Basha, është largimi i Kryeministrit Rama, si kusht që nuk negociohet.
Gjithsesi burimi i lartë nga Kryesia e PD i tha faqes sonë, se nëse protesta e të shtunës do jetë paqësore, krejt ndryshe pritet të jetë ajo e radhës në qershor. Me gjasë fushata do ketë filluar dhe me PD e aleatët jashtë zgjedhjeve, protesta e qershorit, data e së cilës nuk është përcaktuar akoma, pritet të jetë e ashpër dhe agresive. Megjithëse nuk konfirmohet një datë e mundshme është 29 qershori.