Petrit Vasili i quan “fitore” shkeljet që Ilir Meta i bëri Kushtetutës. Në një shkrim në Facebook, nënkryetari i LSI del në mbrojtje të ish-shefit të tij në parti, dhe sulmon Komisionin e Venecias (që vetë Meta para raportit e vlerësonte maksimalisht). Gjuha e përdorur nga Vasili është e rëndë. Ai i quan “trakte” përfundimet e Venecias, ndërsa juristët e këtij Komisioni (të cilëve u kërkon mendim çdo shtet i botës), për Tit Vasilin s`janë gjë tjetër veç se një “trupë policiore”.
“Në kontrast me këtë realitet shumë të qartë e të faktuar shfaqen qesharake edhe përpjekjet e ndonjë trakti Venecian që mori atributet e një trupe policore dhe që u përpoq mjerueshëm t`i krijonte alibi politikës kriminale të Edi Ramës, duke dalë hapur kundër Sigurisë Publike të Shqipërisë dhe shndërrimit të saj në një shesh civil lufte me pasoja shkatërrimtare”. Pra, në këtë kontekst, ashtu si Ilir Meta i mbetur pa mbështje ndërkombëtare, i sulmoi partnerët e huaj, edhe Vasili, (që SHBA s`i jep vizë), sulmon Komisionin e Venecias, por dhe këtë herë e bëri sipas rastit.
Pasi, në 5 dhjetor të një viti më parë, Petrit Vasili, “vlerësonte” këtë Komision, kur publikonte raportin për Vettingun e politikanëve. “Komisioni i Venecias konfirmon Vetingun e politikaneve dhe krimin qe ka pushtuar shtetin. Komisioni i Venecias konfirmon qartë e zeza mbi të bardhë që krimi ka pushtuar shtetin dhe ka bërë që qytetarët të humbasin besimin te institucionet dhe nevoja për veting të politikës është plotësisht legjitime”, shkruante Vasili gati një vit më parë, duke vlerësuar punën e Komisionit të Venecias.
Në fakt, gjuha e përdorur ndaj Komisionit të Venecias nga Petrit Vasili, duket si ajo e Presidentit Ilir Meta ndaj ndërkombëtarëve. Por, në këtë rast, Meta është rezervuar për të “replikuar” me Venecian, pasi vetëm pak javë më parë, në 55 faqe raport për “mbrojtjen” e tij, Meta e vlerësonte këtë Komision me superlativa. Madje, kreu i shtetit e citoi vazhdimisht “Venecian” për rekomandimet që institucioni i njohur konstitucionalit ndërkombëtar, dha për hartimin e Reformës në Drejtësi. Por, pas publikimit të raportit, Meta duket se e ka të vështirë të sulmojë drejtpërdrejt këtë komision, ndaj me “penën” e Vasilit, veten e shpall “ëngjëll” e Venecian “djall”. /Realstory.al./