Tym e flakë te parlamenti, plagosen 7 policë

AKTUALITET


Protesta e opozitës është përshkallëzuar me dhunë, sapo protestuesit kanë mbërritur para parlamentit. Sapo kanë mbërritur para parlamentit, protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë, kapsolla e gurë drejt godinës së parlamentit dhe policisë, duke plagosur shtatë efektivë gjithsej.

Protestuesit dhe kreu i PD kanë marshuar nga bulevardit tek Kryeministria për të shkuar tek rruga para parlamentit. Një numër i madh efektivesh janë rreshtuar para hyrjes së parlamentit. Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë dhe tymuese, ndërkohë që gjatë gjithë kohës në protestë kanë qenë edhe drejtuesit e PD. Nga sulmet janë plagosur punonjës policie dhe disa protestues, ku një prej tyre ka marrë plagë në këmbë.


Në këtë situatë, policia ka ndërhyrë duke përdorur ujë e gaz lotsjellës, për të zmbrapsur turmën e protestuesve në sheshin para parlamentit. Njëkohësisht kanë vijuar edhe thirrjet e policisë ndaj protestuesve. Gjithashtu policia i kërkon medias të largohet nga ambientet para parlamentit.

Ministri Lleshaj ka reaguar disa herë në Twitter, duke i bërë thirrje Bashës që të ndalojë sulmin ndaj forcave të Policisë së Shtetit! “Ka mbërritur në 7 numri i policëve të plagosur nga sulmi i militantëve të Lulzim Bashës. Për këtë do të ketë përgjegjësi përpara ligjit”, u shpreh Ministri i Brendshëm në reagimin e tij në Twitter.




Skip to toolbar