Ushtari i KFOR humb këmbën, efektivi hungarez u plagos në protestën e datës 29 maj në Kosovë

KOSOVA


Një ushtari hungarez të misionit paqeruajtës të NATO-së në Kosovë, i është amputuar njëra këmbë pas lëndimeve të marra gjatë protestës së dhunshme në veri të Kosovës më 29 maj.

Lajmin e ka njoftuar medias vendase, “telex”, e cila citon ministrinë e mbrojtjes në Hungari.


Në njoftimin e ministrisë hungareze thuhet se ndërhyrja kirurgjikale ka shkuar mirë, ndërsa gjendja e ushtarit është stabile. Referuar njoftimit të ministrisë, shumica e ushtarëve hungarezë të KFOR-it janë kthyer në shtëpitë e tyre, por gjendja shëndetësore për dy ushtare është ende e rëndë dhe për këtë arsye ata janë duke u trajtuar në spital.

Dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, kryesisht hungarezë dhe italianë, u  plagosur gjatë ndërhyrjes për t’i shpërndarë protestuesit serbë në Zveçan të hënën e 29 majit. Paqeruajtësit e NATO-s kërkuan nga protestuesit të shpërndahen, por ata nuk pranuan dhe hodhën gurë, shok-bomba e koktej molotovi në drejtimin e tyre.

Serbët lokalë në katër komunat e veriut të Kosovës ishin duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në godina dhe prezencën e njësive speciale të Policisë së Kosovës në afërsi të ndërtesave komunale.

Tensionet u nxitën pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut,  ku fituan kandidatët shqiptarë. Partitë serbe i bojkotuan ato.




Skip to toolbar