Vendimet e qeverisë, bursa për fëmijët e prekur nga tërmeti. 3 janari, ditë pushimi

AKTUALITET


Këshilli i Ministrave ka marrë disa vendime që janë edhe të fundit për vitin 2019 që lidhen me bursat për nxënësit që humbën familjarët nga tërmeti, pushimet e administratës, buxhetin e ministrive, shpërblimin e pensionistëve etj. Vetë kryeministri Rama ua kishte bërë të ditur personalisht fëmijëve që u prekën nga tërmeti, gjatë vizitave që u kishte bërë në qendrat dhe banesat ku janë strehuar, se do të përfitonin bursa studimi. Më 24 dhjetor me vendim qeverie, të gjithë nxënësit që ndjekin arsimin parauniversitar dhe arsimin e mesëm profesional në institucionet arsimore publike, që humbën anëtarë të familjes si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019, do të përfitojnë bursë në masën 15 000 lekë në muaj.

Në prag fundviti, një tjetër vendim ka qenë edhe zgjatja e ditëve të pushimit për administratën, ku përveç datës 1 dhe 2 janar shtohet si ditë pushimi edhe data 3 Janar. Pra administrate fillon punë zyrtarisht më 6 janar 2020. “Dita e premte që do të bëhet pushim do të zëvendësohet nga ditët e pushimit brenda muajit janar” shkruhet në vendimin e këshillit të ministrave.


Gjithashtu Këshilli i Ministrave vendosi një rishpërndarje fondesh, ku 300 milionë lekë i janë hequr Ministrisë së Ekonomisë duke i kaluar Ministrisë së Shëndetësisë.

“Qeveria ka miratuar një rishpërndarje fondesh nga buxheti i vitit 2019 ndërmjet ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë i hiqet fondi 300 milionë lekë dhe i kalohet ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale” thuhet në vendin e qeverisë, ndërsa hynë në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

Këshilli i Ministrave gjithashtu ka miratuar emërimin e drejtorit të ri të Cirkut Kombëtar. Ai do të jetë Ilirjan Gjini, që zë vendin e Saimir Çilit.




Skip to toolbar