Vendimi i plotë për Tahirin, prokuroria: Do e apelojmë

AKTUALITET


Është zbardhur vendimi i plotë i shkurtuar i gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë e cila e dënoi mbrëmjen e së enjtes ish ministrin Tahiri, me 3.4 vite shërbim prove, për akuzën e shpërdorimit të detyrës duke lejuar kanabizimin e vendit, por duke rrëzuar akuzat e tjera të prokurisë për trafik droge dhe për grup kriminal. Pas zbardhjes së vendimit ka reaguar prokuroria e cila ka njoftuar se do ta apelojë vendimin e gjykatës. Prokuroria për Krime të Rënda ka njoftuar se do të apelojë vendimin, si një detyrim ligjor.

Siç duket prokuroria dhe ish ministri do të përballen sërish në Apel, pasi dhe vetë Tahiri paralajmëroi mbrëmjen e së enjtes fill pas vendimit se do ta apelonte atë. Ai tha se kjo është vetëm maja e betejës që sapo ka nisur.


Pas një seancë maratonë që nisi në orën 9 të mëngjesit dhe përfundoi rreth orës 22 të mbrëmjes së të enjtes, trupi gjykues në Gjykatën e Krimeve të Rënda vendosi të rrëzojë akuzat e ngritura nga prokuroria për ish ministrin Saimir Tahiri duke argumentuar se nuk janë të mbështetura në prova, ndërsa vendosi ta dënonte me 5 vite për akuzën e shpërdorimit të detyrës; dënim ky që konvertohet në shërbim prove dhe se Tahiri nuk do të kryej asnjë ditë burg.

Gjatë të premtes është zbardhur vendimi që gjykatësoi lexoi para gjykatës. Realstory ka siguruar materialin e plotë ku argumentohet vendimi i gjykatës për ta dënuar ministrin me akuzën për shpërdorim detyre.

 “I pandehuri Saimir Tahiri, duke mbajtur kontakte të tilla të pashpjegueshme me Habilajt, si dhe mosmarrja e masave për kanabizimin dhe përfshirjen e Policisë në këtë fenomen, ka konsumuar veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës”, shkruhet në vendimin e gjykatës.

Duke pranuar fenomenin e kanabizimit, gjyqtari Ardit Mustafaj tha se parcelat me kanabis në vitin 2016 në Vlorë janë konstatuar nga oficerë të Guarda di Finanza, ndërsa nga hetimet e kryera edhe për grupin e Taulant Haxhirajt, vërtetohet se ky kultivim është kryer në bashkëpunim me punonjës të Policisë vendore. Këta punonjës, tha gjyqtari, janë kapur në përgjime teksa kontaktojnë me anëtarë të grupit kriminal. Por me gjithë këto konstatime nuk vërtetohet implikimi i ish-ministrit në trafikimin e lëndëve narkotike të kultivuara në këto zona.

Teksa lexoi edhe vendimin e Gjykatës së Katanias për pushimin e hetimeve ndaj ish-ministrit, Mustafaj tha se bisedat e anëtarëve të grupit të Habiljave, të cilët pretendojnë për dhënien e përfitimeve ish-ministrit, nuk vërtetohen me asnjë provë dhe fakt tjetër, duke mbetur vetëm në kuadrin e dyshimeve. Më tej, Gjykata arsyeton në ndryshimin e veprës edhe me faktin se nuk vërtetohet një marrëveshje mes Tahirit dhe qoftë një anëtari të vetëm të Habilajve për krijimin e lehtësirave. “Vërtetohet se Moisi Habilaj ka përdorur emrin e ish-ministrit për të krijuar idenë e fuqisë, por nuk vërtetohet marrëveshja e tij me të paktën një anëtar të grupit, duke bërë që të mos vërtetohet akuza”, tha gjyqtari.

Vendimi

Gjykata vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Saimir Tahiri, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit të Procedurës Penale dhe dënimin e tij me 5 vite burgim.

2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Saimir Tahiri për veprën penale të “Grupit të strukturuar kriminal”, pasi nuk provohet vepra penale që akuzohet. Të pandehurit Saimir Tahiri i ulet një e treta e dënimit dhe dënohet përfundimisht me 3 vjet e 4 muaj burgim. Urdhërohet pezullimi i vuajtjes së dënimit me burgim për të pandehurin Saimir Tahiri dhe vënien e tij në provë për një periudhë prej 3 vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale. Heqjen e së drejtës të pandehurit Saimir Tahiri për të ushtruar funksione publike për një kohë për tre vjet.




Skip to toolbar