Që nga dita e djeshme kur ndodhi super-grabitja në Rinas, nuk ka pasur asnjë deklaratë nga policia apo autoritetet e shtetit deri pak më parë. Në një deklaratë për mediat, ka reaguar Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj duke thënë se kompania koncesionare është fajtore për mungesën e përgjegjësisë dhe sigurisë që çoi në zhvillimin e kësaj ngjarje të rëndë.
“Nga analizat e deritanishme, rezulton se nuk kanë funksionuar aspak mekanizmat e sigurisë që janë nën përgjegjësinë e kompanisë koncensionare të aeroportit. Kompania kineze që ka koncesionin e aeroportit të Rinasit ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e saj për garantimin e parametrave të sigurisë fizike. Koncesionari dhe kontraktori i zgjedhur prej tij, që përgjigjet për sigurinë fizike të Aeroportit, nuk kanë arritur të zbatojnë standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil (ICAO), megjithëse vetëm për llogari të sigurisë kanë arkëtuar rregullisht dhe pa ndërprerje 3 euro për çdo pasagjer që ka dalë nga ky aeroport. Do të kishte mjaftuar edhe vetëm një pjesë e këtyre parave të përvitshme, që pasagjerët paguajnë ekskluzivisht për sigurinë, për ta garantuar në mënyrë të shumëfishtë perimetrin e jashtëm të Aeroportit, i cili dje jo vetëm që është hapur për disa sekonda, por, për më keq, Koncesionari dhe Kontraktori i tij për sigurinë nuk kanë arritur madje as të sinjalizojnë policinë për këtë thyerje të patolerueshme të sigurisë. Koncesionari jo vetëm që ka refuzuar zbatimin e kërkesave të shumta dhe të herëpashershme të Policisë së Shtetit për marrjen e masave në drejtim të sigurisë fizike, por në shumë raste as nuk ka denjuar të kthejë qoftë edhe përgjigjet formale për korrespondencën përsëritur zyrtare.” – ka thënë Lleshaj
Gjithashtu Lleshja tha se autorët kanë lënë pas shumë prova materiale dhe se kapja e tyre do të jetë shumë afër.
“Sa i përket dinamikës së ngjarjes më duhet të them se reagimi i shpejtë, profesional, i përpjesshëm dhe i vendosur i Policisë së Shtetit ka sjellë si rezultat që autorët e këtij sulmi të rëndë të lënë në dorë të ekipeve të hetimit prova të shumta materiale, të cilat po i nënshtrohen procedurave përkatëse.”