Vrasja e babë e bir në Elbasan, zbardhet dëshmia e Klajdi Dokolit

AKTUALITET


Në seancën e radhës ndaj të akuzuarve për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit, babë e bir, në vitin 2012 në Elbasan, mes të cilëve edhe Ardian e Florenc Çapja, Gjykata e Posaçme dëgjoi dëshminë e të pandehurit Klajdi Dokoli.

30-vjeçari tha se nuk e kishte takuar asnjëherë Gentian Beqirin dhe se vrasjen e tij e kishte mësuar nga televizioni. “S’e kuptoj pse jam këtu. Unë jam i sëmurë dhe vazhdoj kimioterapinë”, tha Dokoli.


Ai shtoi se asnjëherë nuk kishte pasur probleme me drejtësinë: “Nuk kam vajtur kurrë në vendin e ngjarjes se unë nuk jam hetues policie. Etien Canin e kam dëgjuar si emër kur isha 10-12 vjeç, kur luanim futboll mes shkollave. Nuk e di nëse bëhet fjalë për të njëjtin person.

Olsi Lekun dhe Ervis Bardhin nuk i njoh. Emrin e Ardian Çapjas e kam dëgjuar për herë të parë në emisionin “Opinion” në KLAN, kur gazetarët kanë publikuar një foto të tij me kryeministrin. Kam punuar një periudhë tek koalidimi i makinave, njerëzit më jepnin dokumentat dhe unë mbaja radhën, ose me ndonjë të njohur u fusja makinën pa radhë.

Për këtë gjë merrja 500-3000 lekë. Në atë kohë kujtoj që më kanë rënë në dorë një dokument me emrin e Florenc Çapjas, por nuk e kam parë kurrë si fytyrë, nuk e kam njohur asnjëherë”.

Sipas SPAK, Dokoli ka mbajtur në vëzhgim hyrje-daljet në pallatin ku jetonte Gentian Neziri, informacione që ia përcillte familjes Çapja.

Vrasja e babë e bir gushtin e vitit 2012 në Elbasan tronditi opinionin publik, për shkak se Gentian Beqirit ishte në “arrest shtëpie” dhe me punonjës policie tek dera, kur autorët u futën në shtëpi dhe vranë atë e të atin, Nezir Beqiri.

Ngjarja u zbardh 8 vite më vonë pasi Ervis Bardhi, i dyshuar si ekzekutori i Gentian Nezirit, pranoi të bashkëpunojë me drejtësisë. Sipas hetimit të kryer nga prokurori i SPAK, Behar Dibra, vrasja është porositur nga Ardian e Florec Çapja dhe për të Bardhi e Olsi Leka janë paguar me 50 mijë euro.

Vrasja kishte si motiv hakmarrjen, pasi Çapajt dyshonin se Beqiri kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllait dhe xhaxhait të tyre.




Skip to toolbar