Vrasja e Malkos, ndryshon akuza për Blendi Tetën

AKTUALITET


Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24 ka zbardhur detaje të reja për ekzekutimin mafioz të ish-policit Santiago Malko, në zonën e Xhamllikut, në Tiranë.

Lala tha se personi i vetëm i arrestuar për krimin e rëndë, shtetasi Blendi Teta, nuk po hetohet nga policia vetëm për veprën penale të moskallëzimit të krimit, siç u njoftua në fillim, por tashmë ai është nën hetim edhe për veprën penale të vrasjes me paramendim.


 “Aktualisht dosja ka kaluar te Krimet e Rënda. Blendi Teta është i vetmi i arrestuar për ngjarjen. Teta po hetohet për vrasje të paramenduar, ndryshe nga më parë, që hetohej vetëm për moskallëzim të krimit. Rezulton se Teta është i lidhur ngushtë me personat e dyshuar për vrasjen e Malkos. Në kohën që kërkohej nga policia, ai është fshehur në shtëpinë e bashkëjetueses së tij, ndërsa ka aplikuar dhe për vizë për në Kubë”, tha gazetarja Lala.

Vrasja:

26-vjeçari Santiago Malko u ekzekutua më 27 gusht 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”.

Mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë u qëllua me breshëri kallashi në drejtim të makinës tip “BMW X5”, Santiago Malko, ish-polic. Ai ishte pjesë e bandës së Ervis Martinajt, i njohur ndryshe si bosi i lojërave të fatit. Malko kishte gjithashtu në pronësi disa pika bastesh sportive. Malko ka qenë i përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit 2018, ku dhe ndodhi vrasja e Fabian Gaxhës në ish-Bllok pas një përplasje me armë. Gjithashtu ish-polici i vrarë është përfshirë në një sherr me dy vëllezërit Lashi në vitin 2016 për një borxh prej 1 mijë eurosh.

Malko kishte përfunduar kursin e policisë për Patrullë të Përgjithshme dhe ka qenë pjesë e kësaj strukture në Policinë e Tiranës vetëm për 3 muaj, nga ku u tërhoq vullnetarisht.

Policia e Tiranës për këtë vrasje ndaloi 39 vjeçarin Blendi Teta për veprat penale moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

39 vjeçari Teta është parë në kamerat e sigurisë pranë vendit të krimit kur ka ndodhur ngjarja, por kur është pyetur nga uniformat blu ka mohuar këtë fakt.

Ndërkaq Policia e Tiranës ka zbardhur dhe dokumentuar autorësinë e vrasjes së 26-vjeçarit Santiago Malko duke shpallur në kërkim 8 persona.

Sipas policisë personat e përfshirë në këtë vrasje janë Leonard Duka, Orion Loga, Dritan Agai, Erlis Duka, Ilir Selmani, A. M., Xh. N., (të shtatë banues në Tiranë) dhe Fatmir Hyseni, (M.,) banues në Vlorë.

Të gjithë këta persona janë shpallur në kërkim nga policia, ndërkohë që Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur si masë sigurimi personal “Arrest me burg” në mungesë, ndaj këtyre shtetasve./realstory.al




Skip to toolbar