Vuçiç: Dorëheqja e Haradinajt, mashtrim politik. Pozicioni i serbëve do të jetë edhe më i vështirë

AKTUALITET


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka reaguar të shtunën në një deklaratë për mediat në lidhje me dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilën e ka cilësuar një mashtrim politit.

Vuçiç u shpreh se ky akt i Haradinajt nuk ka vend për eufori ndërkohë që Serbia duhet të përgatitet dhe të shohë pasojat që do vijnë pas kësaj.

“Dorëheqja e Ramush Haradinajt është një mashtrim politik që ai mund të fitojë edhe më shumë popullaritet në të cilin ai bëhet një hero që lufton për një Kosovë dhe Metohi unike. Ne e kuptojmë që ka një lloj kënaqësie të serbëve për shkak të thirrjes së Ramush Haradinajt në Hagë, por nuk ka arsye për eufori. Duhet shohim të gjitha faktet dhe pasojat që vijnë pas aktit të dorëheqjes së Hardinajt. Pozicioni i serbëve do të jetë edhe më i vështirë se sa ishte sot”, u shpreh Vuçiç.

Të premten pasdite, Ramush Haradinaj njoftoi se ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryeministrit të Kosovës për shkak të një ftese të marrë nga Gjykata Speciale e Hagës për krimet e luftës në Kosovë. Ai tha në deklaratë se do të shkojë të përballet me këtë akuzë dhe do të dalë i pastër, ndërkohë që bën të ditur se Kosovës po i bëhet presion i padrejtë nga ndërkombëtarët për të hequr taksën ndaj mallrave serbe. Sipas Haradinajt, kjo taksë dhe tregtia e lirë me Serbinë, duhet të shërbejnë si çmim i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Sipas burimeve serioze mediatike në Prishtinë, realstory.al ka mësuar se me gjasë gjithçka lidhet me qëndrimin e prerë dhe të ndryshëm të Haradinajt ndaj një marrëveshjeje të mundshme me Serbinë. Qëndrimi i tij mori jehonë në takimin e Berlinit, ku u bënë publike dhe replikat e tij të ashpra me presidentin Macron, por edhe me Edi Ramën dhe Hashim Thaçin.

Haradinaj prej muajsh po i reziston presionit të ndërkombëtarëve të cilët kërkojnë heqjen e taksës mbi mallrat serbe. Por qeveria e Kosovës ka marrë vendimin që kjo taksë do të hiqet kur Serbia të njohë shtetin e pavarur të Kosovës.



Skip to toolbar