“Xi Jinping është diktator”, Kina i përgjigjet ashpër komentit të Joe Biden

BOTA


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i jep një tjetër goditje marrëdhënieve të krisura me Pekinin, duke e quajtur “një diktator”, homologun kinez, Xi Jinping. Komentin e bëri gjatë një takimi për mbledhjen e fondeve zgjedhore në Kaliforni, ku ju rikthye çështjes së balonave përgjuese.

“Arsyeja përse Jinping u zemërua aq shumë kur rrëzuam balonën, që kishte brenda dy ngarkesa me materiale spiunazhi, ishte sepse ai nuk e dinte që gjendej aty. Është një prej atyre gjërave që vënë në siklet diktatorët; kur nuk e dinë se çfarë kanë ndodhur. Nuk duhet të ishte aty ku e lokalizuam”, tha Biden.


Kina reagoi ashpër ndaj komenteve të Biden, duke i cilësuar si totalisht absurde dhe të papërgjegjshme.

“Komentet e palës amerikane janë jashtëzakonisht absurde dhe të papërgjegjshme dhe shkelin në mënyrë serioze faktet bazike, protokollin diplomatik dhe dinjitetin politik të Kinës. Ato janë një provokim i hapur politik. Kina është thellësisht e pakënaqur dhe i kundërshton ashpër ato”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning.

Përplasja vjen vetëm një ditë pasi Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi një takim me presidentin kinez në Pekin, që synonte zbutjen e tensioneve mes dy superfuqive.

Kjo ishte vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në 5 vite. Si Biden, ashtu edhe Xi e përshëndetën takimin si një zhvillim të rëndësishëm, por Blinken e bëri të qartë se mbeten dallime të mëdha midis dy vendeve.Marrëdhëniet mes Pekinit dhe Uashingtonit janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi Tajvanin dhe incidentit me balonat përgjuese.




Skip to toolbar