Zaloshnja: Ena komunikuese elektorale në Shqipëri, jo si në Kosovë

AKTUALITET


Eduard Zaloshnja

Nga analiza e rezultateve elektorale ndër vite, në Shqipëri e në Kosovë, rezulton se ena komunikuese elektorale mes partive antagoniste nuk funksionon në Shqipëri ashtu si në Kosovë.


Në Kosove janë regjistruar batica të një partie, ndërkohë që ka patur njëkohësisht  zbatica përkatëse të një partie drejtpërdrejt kundërshtare me të (për sa i përket numrit të votave, e jo përqindjeve të votave, që varen nga numri i pjesëmarrësve në zgjedhje). Ndërsa në Shqipëri ena komunikuese elektorale ka funksionuar vetëm mes një partie të madhe e një partie më të vogël, por fare pak mes dy partive kryesore kundërshtare.

Kështu, në 2013-ën, në nivel makro, pati një transferim të votave të PD-së drejt LSI-së dhe PDIU-së, por shumë pak drejt PS-së (për të mos thënë fare). LSI u rrit nga 75 mijë vota, në 180 mijë; PDIU u rrit nga 15 mijë në 45 mijë; ndërkohë, koalicioni i PD-së ra nga 740 mijë në 680 mijë. Nga ana tjetër koalicioni i PS-së e pati rritjen e votave (90 mijë) kryesisht nga shtimi i pjesëmarrjes.

Në 2017-ën ky trend vazhdoi. LSI u rrit nga 180 mijë, në 225 mijë; PDIU u rrit nga 45 mijë, në 75 mijë; ndërkohë, koalicioni i PD-së ra nga 680 mijë, në 460 mijë vota. Nga ana tjetër, koalicioni i PS-së (PS+PSD+PDS) i ruajti pak a shumë votat e veta (790 mijë)…

Në nivel mikro, le të marrim një shembull. Në fshatin e vogël Zaloshnjë (ku kanë lindur të parët e mi), PD-ja mori 37 vota në vitin 2009, nga 142 vota gjithsej. Në vitin 2013, PD-ja mori 23 vota, nga 141 gjithsej. Në vitin 2017, PD-ja mori vetëm 7 vota, nga 143 gjithsej. Dhe cila parti i mori votat e PD-së (meqë pjesmarrja mbeti e njëjtë ndër vite)? Kuptohet, LSI-ja…

Ky shembulli i fshatit Zaloshnjë kuptohet që nuk mund të përgjithësohet për të gjithë fshatrat e Shqipërisë. Sepse në Dibër, fjala vjen, partia çame mori papritur 13 mijë vota… Ose në Shijak, të djathtët u bënë papritur të majtë…

Sidoqoftë, trendi i sjelljes elektorale në Shqipëri tregon se votuesit e PD-së nuk ka gjasa të votojnë për PS-në, dhe anasjelltas. Mund të ndodhë kryesisht kalimi tek partitë më të vogla, ose thjesht mund të ndodhë mosvotimi i atyre që janë mërzitur me partinë e tyre kryesore…/realstory.al




Skip to toolbar