Zgjedhje jo, kandidatë po. PD konfuze për Lokalet

Më të fundit


Edhe pse ende nuk e ka qartësuar nëse do të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit, Partia Demokratike ka bërë gati skemën dhe mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve të kësaj force politike.

Skema është përgatitur duke u bazuar në modelin britanik të Partisë Konservatore. Me modelin e saj të ri, Partia Demokratike synon të reflektojë kërkesën e shumicës së shqiptarëve për ta lidhur direkt kandidatin me zgjedhësin.


Njoftimi i plotë i Partisë Demokratike:

Partia Demokratike është në fazën finale të përgatitjes së modelit për përzgjedhjen e kandidatëve të saj nga anëtarësia. Për këtë qëllim, janë prej dy ditësh në Tiranë Davis Jones, Kryevlerësuesi i Komitetit të Seleksionimit të Kandidatëve të Partisë Konservatore Britanike dhe Joy Morrissey, ish kandidate konservatore për Bashkinë e Londrës. Përfaqësuesit e lartë të Partisë Konservatore Britanike po ndihmojnë Partinë Demokratike duke ofruar përvojën e konservatorëve britanikë në procesin e përzgjedhjes se kandidatëve demokratë për zgjedhjet parlamentare dhe lokale.

Bazuar në modelin britanik të Partisë Konservatore, PD ka përgatitur mënyrën e seleksionimit të kandidatëve të saj, që do të bazohet në tre faza kyçe:

  1. Ngritjen e komisionit të seleksionimit të kandidatëve
  2. Përcaktimin e kritereve dhe standardeve për aplikantët që duan të kandidojnë.
  3. Procesin e seleksionimit të kandidatëve përpara votimit nga anëtarësia.

Përfshija e anëtarësisë në përzgjedhjen e kandidatëve është risi jo vetëm për Partinë Demokratike, por për të gjithë politikën shqiptare. Deri më sot, asnjë forcë politike në Shqipëri nuk ka zbatuar këto standarde perëndimore që e bëjnë procesin e seleksionimit të kandidatëve në Partinë Demokratike një proces transparent, demokratik dhe të bazuar në meritë.

Me modelin e saj të ri, Partia Demokratike reflekton kërkesën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për ta lidhur direkt kandidatin me zgjedhësin.

Modeli britanik që do të zbatohet në Partinë Demokratike, i shërben Partisë Demokratike edhe si një veting brenda partisë, i cili jep mundësinë e zgjedhjes së kandidatëve më të përshtatshëm që do të përfaqësojnë PD në parlament dhe në pushtetin lokal.




Skip to toolbar