Zyrtare: Juventus prezanton Maurizio Sarrin

SERIE A


Maurizio Sarri është trajner i Juventusit. Të gjitha dilemat janë shuar këtë fundjavë, teksa kampionët e Italisë kanë publikuar në faqen zyrtare të tyre lajmin për emërimin e Sarrit trajner të ekipit për sezonin e ardhshëm.

Sarri mbylli një sezon të shkëlqyer me Chelsea në Londër, teksa u shpall fitues i Europa League, ndërsa në fund të sezonit e renditi klubin anglez në vendin e tretë, pas Liverpool dhe Manchester Cityt.

Pasi ka ngritur trofeun e tij të parë kontinental, tani Maurizio Sarri kthehet në Itali, ku ai ka trajnuar gjatë gjithë karrierës së tij, me përjashtim të eksperiencës që pati me Chelsea për një sezon.

Sarri ka  firmosur një kontratë tre vjeçare me Juven, e cila përfundon më 30 qershor të vitit  2022. Gjashtëdhjetë vjeçari, i lindur në Napoli, ka jetuar gjatë në Toskanë. Në vitin 2001, pasi la futbollin, Sarri nisi karrierën e tij si trajner me kohë të plotë.

Ai ka drejtuar shumë klube gjatë karrierës së tij si trajner në Itali, ku padyshim ndër eksperiencat më të suksesshme mbeten ato me Empolin dhe Napolin, me këtë të fundit që e drejtoi për pesë sezone.

Pavarësisht se me këtë të fundit nuk arriti të fitonte “Scudetton” në Itali, Sarri arriti që për tre sezone radhazi, Napoli të dilte në vend të dytë  në kampionat, duke grumbulluar përkatësisht nga 82, 86 dhe 91 pikë në sezonet 2015/2016; 2016/17 dhe 2017/18.

Negociatat mes Sarrit dhe Juventusit nisën disa javë më parë, fill pas shkarkimit të Masimiliano Allegrit. Ish-trajneri i Chelsea zhvilloi dhe një takim me presidentin Agnelli në prani të menaxherit shqiptar, Fali Ramadani, vetëm pak orë para finales së Europa League, ku Chelsea triumfoi ndaj Arsenalit.



Skip to toolbar