Zv.ministrja e brendshme: Dhuna në protesta e organizuar. Po hetojmë ku i gjejnë bombat molotov

AKTUALITET


Zëvendësministrja e Brendshme Romino Kuko u shpreh të hënën në një intervistë në News 24 se dhuna në protestat e opozitës është e organizuar dhe se policia po heton për të zbuluar se ku i gjejnë protestuesit bombat molotov dhe mjetet piroteknike që janë të ndaluara me ligj.

“Protestuesit kishin edhe mjete piroteknike, gjë që tregon se këta persona përdorin dhunë dhe mënyra të jashtëligjshme. Mjetet piroteknike mund të vijnë nga stoqe të caktuara. Ka disa muaj që janë ndaluar mjetet piroteknike dhe ka edhe qarkullime të paligjshme. Dhuna e protestuesve është e organizuar. Ministria e Brendshme po heton për të gjetur stoqet dhe ku i gjejnë mjetet piroteknike e bombat molotov”, tha Kuko.


Ajo gjithashtu ka komentuar videon ku shihen protestuesit duke u zënë me shufra hekuri me njëri-tjetrin. Kuko tha se video tregon qartë se policia nuk është implikuar në dhunë.

“Sa i përket videos, protestuesit zihen me njëri-tjetrin. Këto pamje tregojnë në mënyrë të qartë se policia nuk është implikuar në dhunë”, tha zv.ministrja Kuko e cila tha se arrestimet e protestuesve janë bërë në bazë të provave dhe nuk është marrë asnjë qytetar me dhunë, ashtu sikundër pretendon opozita.

“Arrestimet janë kryer për shkelje të ligjit që kanë bërë protestuesit. Sigurisht që procedimet dhe arrestimet janë bërë me profesionalizëm. Puna e policisë vlerësohet nga gjykata, prandaj nuk mund të jetë e kotë apo pa prova. Akuzat e opozitës ndaj policisë janë qesharake.  Kostoja njerëzore është më e madhe sesa kostoja ekonomike”, deklaroi Kuko.

Kuko theksoi se opozita po përdor deri edhe fëmijë në protestë, duke thënë se diçka e tillë është tej çdo normaliteti.

“Kjo protestë ka kaluar çdo lloj normaliteti. Është për të ardhur keq, që aty ka pasur fëmijë. Nuk e di sesi mund të ndihet një nënë, që fëmijën e vet që ende nuk ka mbushur moshë madhore e sheh në mes të sheshit në Tiranë me kapuç dhe që përdor dhunë. Ne duhet të kemi kujdes dhe kemi treguar kujdes, pasi e dimë se në këto protesta po përdoren edhe fëmijë. Përgjigja e policëve ka qenë normale, ndërsa ato që thotë opozita janë propagandë e zezë dhe asgjë tjetër. Nuk ka ndodhur që policia të provokojë, por ka ndodhur e kundërta”, tha Romina Kuko, zëvendësministre e Brendshme.




Skip to toolbar