Provokon Vulin: S’na duhen rusët për t’u kthyer me forcë në Kosovë

KOSOVA


Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin ka provokuar sërish me një deklaratë në lidhje me Kosovën. Ai pohoi se Serbia nuk po përgatit vullnetarë rusë për t’u kthyer në Kosovë.

Sipas mediave serbe Vulin ka thënë se nëse Beogradi do të dëshironte të kthehet me forcë në Kosovë, nuk do të kishte nevojë për rusë apo të huaj të tjerë, por do t’i mjaftonin serbët e lindur atje.

“Nëse Serbia do të donte të kthehej me forcë në veri dhe jug të ‘Kosovës dhe Metohisë’, nuk do të kishte nevojë për rusët apo ndonjë të huaj tjetër, mjaftojnë serbët e lindur në ‘Kosovë dhe Metohi’. Shqiptarët (ai sërish përdori termin fyes ‘shiptari’) u bindën për këtë kur dërguan forca speciale arrogante në veri të ‘Kosovës dhe Metohisë’ dhe të përulur dhe të frikësuar i tërhoqën në jug”, tha Vulin.

Ai këto komente i ka bërë duke u përgjigjur ndaj një deklarate të ish-komandantit të FSK-së, Kadri Kastrati, i cili tha se ka informacione se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe ministri Vulin po rekrutojnë mercenarë rusë për t’i sjellë në veri të Kosovës. Vulin deklaroi se shqiptarët e Kosovës, “kur nga ta flet frika dhe ndërgjegjja e papastër, fillojnë të flasin për agresionin serb dhe rrezikun rus”.

“As presidenti Vuçiç, as unë nuk jemi duke përgatitur apo kërkuar vullnetarë rusë. Nëse Serbia do të dëshironte të kthehet me forcë në veri dhe jug të Kosovës dhe Metohisë, nuk do të kishte nevojë për rusët apo ndonjë të huaj tjetër, mjaftojnë serbët e lindur në Kosovë”, shtoi Vulin. Sipas tij, “pretendime të tilla duhet të shërbejnë si shkas që NATO të ngrejë edhe një herë armët dhe të bëjë një luftë, të cilën vetë shqiptarët kurrë nuk mund ta fitonin, ashtu siç nuk mundën të ndërtonin vetë një shtet”.



Skip to toolbar