Bledar Selmanaj, i akuzuar për vrasjen e 25-vjeçarit Xhuljan Bullari, ka tentuar arratisjen nga spitali i burgut në QSUT, por është parandaluar nga grupi i sigurisë, pasi kishte arritur të priste katër hekura të dritares.
Por kush është 39-vjeçari Bledar Selmanaj?
Ai rezulton një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi vite më parë është akuzuar për disa vjedhje argjendarish e banesash në Tiranë. Duke kryer disa vjedhje seri ai është etiketuar edhe si hajduti ‘serial’ në kryeqytet.
Ndërkohë, ai u arrestua pak kohë më parë në zonën e Bllokut, në Tiranë, për vrasjen e 25-vjeçarit Bullari, me të cilin rezultoi se kishte njohje. Ai e vrau të riun në Vlorë, ndërsa në oborrin e banesës së tij, në qytetin bregdetar, iu gjet e groposur arma e krimit, si dhe veshjet që kishte përdorur ditën e ngjarjes.
Ai e ekzekutoi shokun e tij brenda makinës, duke e qëlluar me plumb në kokë, ndërsa dy ditë pas krimit shkruante në faqen e tij të “Facebook” se ishte biznesmen. Madje, në rrjetet sociale, Selmanaj jepte edhe të dhëna të tjera se ishte serioz dhe i gjatë 1.75.