Ilir Daja është duke bërë mrekulli në Vlorë, pasi po drejton një ekip pa paga dhe që në janar i ikën 6 lojtarë formacioni. Pavarësisht këtyre, trajneri kryeqytetas po ia del të mbajë grupin e bashkuar dhe të marrë pikë në ndeshje të rëndësishme siç ishte dhe ajo sot me Teutën, që e fitoi 3-1. Pas ndeshjes trajneri ka folur për “Supersport”, duke deklaruar se skuadra po bën detyrën, ndërsa janë drejtuesit ata që duhet të mendojnë për pjesën tjetër.
Ndeshja: “Po përdorim vetëm 11 lojtarë dhe nuk kemi shumë energji. E filluam mirë dhe mund të kishim shkuar në 2-0 me Kale, por më pas lojën e mori në dorë kundërshtari që na vuri në vështirësi. Në fund, morëm një fitore të rëndësishme kundër një ekipi që ishte pretendent për titull deri para pak javësh. Frikë pas 2-1-shit? Po, por më pas arritëm ta mbronim rezultatin”.
Problemet financiare: “Ne kemi për detyrë që të bëjmë atë që na takon, të fitojmë ndeshjet në fushën e lojës. Pjesa tjetër i takon drejtuesve të klubit. Ne po i shërbejmë qytetit me këto rezultate, sepse pjesa e sipërme e renditjes ka skuadra që kanë bërë merkato në janar, ndërsa ne kemi patur largime”.
Sekreti i Flamurtarit: “Ky grup ka një shpirt skuadre shumë pozitiv, gjë që ia bën të lehtë punën edhe stafit. Pa mbështetjen e lojtarëve nuk mund të bëhet gjë. Vendi i tretë? Përderisa jemi në vendin e tretë, do të thotë se e meritojmë”.