Afati 48 orësh i vendosur nga kreu i KQZ Ilirjan Celibashi për Partinë Demokratike, përfundon sot në mesnatë.
Kështu u shpreh vetë kryekomisioneri në një bashkëbisedim me mediat, lidhur me regjistrimin e PD në zgjedhjet vendore të 14 majit.
“Unë do marr vendim pasi të ketë kaluar afati 48 orë që i është dhënë PD, për të plotësuar dokumetacionin, që në bindjen time është i mangët. Do presim të kalojë afati 48 orë, dhe më pas menjëherë do vendosim, njëherë presupozon një ditë ose dy ditë më pas. Në interpretimin ligjor afati përfundon sot në në 24:00”, tha Celibashi.
Ndërkohë edhe pse dokumentacioni konsiderohet i mangët nga KQZ, PD duket se nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj. Shkresa e dorëzuar mëngjesin e sotëm në KQZ, nga përfaqësuesi ligjor i saj Indrit Sefa, thotë se PD nuk e ka një kryetar në kushtet kur Lulzim Basha është dorëhequr, dhe se dokumentacioni i dorëzuar prej tyre për regjistrimin e partisë është i plotë.