Aktualisht Sali Berisha ja ka dalë vetëm në një pikë. Ai është kthyer në një alibi për çdo opozitar për çdo dështim të tyre në përgjithësi dhe për çdo dështim individual.
Pasi ka arritur ta përçajë opozitën në të paktën katër grupime, secili prej tyre për dështimin e tij fajëson Sali Berishën.
Të parët që e fajësojnë janë ata që i shkojnë pas atij. Ata janë të vetmit njerëz që merren me politikë në botë që shkojnë me vetëdije në një betejë, të cilën e dinë se e kanë të humbur. Dhe shkojnë me shpresë se po i prishin punë kundërshtarit.
Fjala vjen, shkojnë të bllokojnë seancat parlamentare se kështu i prishin punë Edi Ramës. Në fakt atë e ndihmojnë.
Shkojnë dhe bëjnë si të fortë që të frikësohet Luzlim Basha të mos shkojë në Kuvend. Në fakt atë e ndihmojnë se ai atë do.
Sulmojnë SPAK dhe drejtësinë pse ka arrestuar dhëndrin e Berishës dhe pse ka marrë masa sigurie ndaj Berishës. Në fakt SPAK dhe drejtësia e re, këtë medalje ka pasur mangët nga Berisha.
Pra gjithçka që bëjnë nuk është se dëmton kundërshtarët por veten e tyre. Kjo i bën ata një kategori speciale humbësish që shkojnë jo vetëm pas liderit të gabuar, por dhe pas kauzave të gabuara tërësisht të ndërgjegjshëm që janë humbës. Dhe e vetmja alibi që kanë për gjithë këtë marrëzi është se s’kanë çfarë t’i bëjnë Sali Berishës.
Grupi i Lulzim Bashës po ashtu është i rehatuar në shpjegimin e dështimeve të veta. Fakti që Lulzim Basha është politikani i parë në PD që ka guxuar të përjashtojë Sali Berishën nga Grupi parlamentar, e bën gjestin e tij historik dhe ata kanë një alibi që hakmarrja e Berishës ndaj PD, është një arsye përse ajo sot është e copëtuar dhe pse ata janë pakicë.
Po aq të mllefosur me Berishën janë thuajse gjithë deputetët që ndjekin nga pas Gazmend Bardhin dhe ai i ka çuar si tufë delesh tek Berisha. Ata kanë probleme me Lulzim Bashën por nuk janë asnjë minutë me Berishën. E urrejnë atë që po ndodh dhe sidomos faktin që Berisha përpiqet t’i paraqesë si të vetët. Shumë prej tyre nuk kanë dhe stof politik dhe janë akoma më të mllefosur pse Berisha e ka copëtuar kështu PD, dhe pse ata nuk janë si më parë të qetë në vendin që u takon në PD. Janë të keqkuptuar për rëndësinë e tyre, por janë të qartë për arsyen e fatkeqësisë së tyre që është Sali Berisha. Dhe nuk kam parë njerëz më të mllefosur me Berishën pikërisht tek ata që kanë shkuar si dele tek vatha e Berishës.
Të mllefosur më të qartë me Berishën duken dhe ata që nuk kanë punë as me Bashën, as me Gazmend Bardhin, por që menduan se ishte gabim që Berisha të përjashtohej. Agron Shheu dhe mbështetësit e tij janë tipikisht njerëz që u bëri mirë të shkuarit pas Berishës, pasi u bindën se me atë s’ka të ardhme. Dhe ata e shpjegojnë gjithë historinë e asaj që po ndodh me ta dhe me PD, po me Berishën.
Nuk di se kush është me Berishën në opozitë aktualisht nga figurat politike, përveç Flamurit dhe Palokës, që Berisha i ka si mallkim me vete, por është e qartë se të gjithë në opozitë janë të bindur se problemin e kanë me Berishën, jo vetëm si parti, por edhe si individ, pasi u ka ulur pritshmëritë që ata kanë pasur nga angazhimi në politikë.
Kjo e bën Sali Berishën njeriun më të vetmuar në opozitë dhe akoma më të vetmuar në hallin e tij të gjykimit nga drejtësia si familje hajdute, por kjo nuk e bën opozitën e copëtuar shqiptare, “të bashkuar” kundër Berishës.
Përkundrazi, kjo e bën opozitën e copëtuar shqiptare, një skenë filmi, ku Sali Berisha përpiqet të luaj viktimën, duke përdorur hallin e secilit prej tyre, dëshpërimin e secilit prej tyre dhe pafuqinë e secilit prej tyre, për të bërë opozitë pa Berishën.
Të gjithë këta janë të bashkuar në idenë dhe bindjen se Berisha është arsyeja përse ata nuk kanë të ardhme, por janë të ndarë në idenë se si mund t’ia bëjnë pa Berishën. Kanë akoma dilemën e skllavit që nuk di çfarë të bëjë me veten, po ja hoqën zinxhirët.