Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh se është një arritje e madhe që niveli i kredive të këqija në vend ka rënë nga 25% në 4.7%.
Ndër të tjera gjatë fjalës së tij Sejko theksoi se Shqipëria ka një ecuri të kreditimit më të mirë nga të gjitha vendet e rajonit dhe se sfida e tyre ka qenë për të mbajtur sistemin financiar produktiv.
Gent Sejko: Është një arritje e madhe që niveli i kredive të këqija dhe kredive me probleme ka rënë nga 25% në 4.7% së fundi. Ecuria e kreditimit ështe e mirë. Pra ne kemi një rritje kreditimi në nivelin e 10% në bazë vjetore. Mesatarisht shifra e fundit e vitit 2023, rritja e kreditimit për biznesin privat ka qenë 10.7 % që nuk është e keqe. Pra rritja e GDP është 3.5% dhe kreditimi është rritur në nivelin 10%.
Ne si Shqipëri kemi një ecuri të kreditimit më të mirë nga të gjitha vendet e rajonit. Sfida ka qenë për të mbajtur sistemin financiar produktiv pra për të vazhduar kreditimin për të mos rritur kreditë me probleme dhe njëkohësisht për të konsoliduar dhe ristruktuaruar sistemin bankar. Nxitja e përdorimit të monedhës kombëtare në stadin aktual që ka Shqipëria në raport me ekonominë do të ndikonte në transmetimin më të mirë të politikës monetare. Kjo ka ndikimin direkt në rritjen ekonomike.
Tanspozimi i direktivës për ligjin e fundit që sapo është miratuar lidhur me shërbimet bazike ka të bëjë me shtresat vulnerabël, shtresat në nevojë, pensionistët, individët me ndihma sociale të cilët nuk do të paguajnë komisione bankare pra institucionet bankare janë të detyruar të aplikojnë komision zero për këta individë.