Protesta, tani flamurin e merr LSI

AKTUALITET


Monika Kryemadhi duket se s`po gjen rehat dy ditët e fundit. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, po jep shenja se protesta e 8 korrikut nuk do të jetë një protestë e opozitës, thjesht si një përgjigje ndaj qeverisë për zgjedhjet e 30 qershorit, por kjo protestë do të jetë kryekëput kundër shkarkimit të Ilir Metës nga posti i presidentit. Në fakt, sjellja e shefes së LSI tre ditët e fundit të lë të kuptosh një gjë të tillë.

Prej 16 shkurtit, kur opozita mbajti protestën e parë kombëtare, e deri më 21 qershor, ishte Lulzim Basha ai që udhëhiqte thirrjet e opozitës për protestë, me konferenca shtypi, video e postime të ndryshme në rrjetet sociale, takime në qytete të ndryshme të vendit etj. Por, tani që PD mbeti pa asnjë pushtet faktik, dhe brenda së djathtës kanë nisur zërat kundër Bashës, LSI dhe Kryemadhi po marin në dorë situatën.

“Sot, të shtunën në zyrë duke komunikuar me të gjitha strukturat e LSI-së në të gjithë Shqipërinë. E jashtëzakonshme fryma e qëndresës ndaj sistemit autokrat dhe qeverisë së krimit të organizuar dhe korrupsionit. Entuziazëm në çdo familje shqiptare për ndryshimin e këtij sistemi të kalbur. Ftoni familjarët, miqtë, shokët, të bëhemi të gjithë bashkë më 8 korrik. Gjatë pasdites vazhdojmë me takime në Tiranë”, shprehet Kryemadhi.

Pra, ndryshe nga Basha që është i zënë me punë të tjera në PD, Kryemadhi po merr flamurin e protestës në dorë. Ajo së bashku me drejtues të tjerë të LSI, në raport me ata të PD-së, kanë qenë më aktiv në thirrjet për protestën e së hënës më 8 korrik, duke nxjerr në pah hallin e vërtetë të kësaj proteste, jo qeveria, por shkarkimin e presidentit.

Këto thirrje të Monika Kryemadhit, pavarësisht se synojnë të tregojnë se ka entuziazëm, në fakt, nxjerrin në pah edhe një siklet të madh të opozitës. Largimi i të zgjedhurve vendor të PD dhe LSI nga postet që mbajnë pas 30 qershorit, ka shtuar frikën te të punësuarit e opozitës në këto bashki. Çka në fakt, është frikë e vetë drejtuesve të opozitës, se pas zgjedhjeve, rrezikojnë firo të madhe në elektorat, shto faktin, që tashmë nuk ka më bashki që sjellin protestues me autobus drejt Tiranës. Ndaj, jo më kot, vetëm të premten, Monika Kryemadhi la porosi të veçantë për strukturat e saj, që të trokasin në çdo derë të Tiranës, për të ftuar qytetarët në protestë.



Skip to toolbar