Portieri i Kombëtares Shqiptare, Etrit Berisha ka firmosur zyrtarisht për skuadrën e Spal në Serinë A. Gardiani kuqezi largohet nga Atalanta në formë huazimi me të drejtë blerje nga Spal, me kontratën që është e vlefshme për një sezon.
Berisha largohet nga Bergamo pas një sezoni me ulje e ngritje. Në fillim të sezonit 2018-2019, Berisha e nisi nga stoli, më pas zuri vendin e titullarit, por në pjesën e dytë, Gian Piero Gasperini e uli në stol futbollistin e kombëtares shqiptare, duke rikthyer titullar portierin Golini.
Kështu, gjatë vitit 2019 Etrit Berisha u aktivizua si titullar vetëm me ekipin tonë kombëtar, ndërsa Atalanta e la jashtë planeve të saj. Për këtë arsye, portieri kuqezi, ka zgjedhur të ndërrojë skuadër, ndonëse tani do të aktivizohet me një ekip që lufton pët mbijetesë, ndryshe nga Atalanta që luante në kupate e uropës.
Berisha gjatë karrierës së tij ka luajtur me disa ekipe, duke nisur me Kalmarin në Suedi, në sezonin 2008-2013, më pas u transferua te Lazio ku qëndroi për tre vjet, para se dy vite më parë të shkonte te Atalana.