“Lamtumirë profesor”/ Dokle: Servet Pëllumbi lë pas imazhin e një epoke të një tranzicioni politik

AKTUALITET


Ish-kryetari i Kuvendit, Namik Dokle, ka mbajtur një fjalim prekës në ceremoninë e lamtumirës për Servet Pëllumbin, duke e vlerësuar atë si një nga figurat më të urta dhe largpamëse të politikës shqiptare. Dokle theksoi se ndarja nga një mik dhe bashkëpunëtor i tillë është e vështirë për t’u përshkruar me fjalë, ndërsa e cilësoi Pëllumbin si “profesorin e socialistëve” dhe një mendimtar që i shërbeu shoqërisë me qytetari dhe përkushtim.

Në fjalën e tij, ai nënvizoi kontributin e Pëllumbit në momentet kyçe të vendit, si dhe rolin e tij në promovimin e vlerave europiane dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Dokle kujtoi gjithashtu sakrificat e tij në periudha të vështira, përfshirë kohën kur Fatos Nano ishte në burg, duke e cilësuar figurën e tij si të pazëvendësueshme në historinë politike dhe shoqërore të Shqipërisë.

“Të dashur miq, shokë dhe dashamirës. Qenka shumë e vështirë të mbledhësh fjalët në lamtumirën e një miku dhe shoku. Në vitet ku në vend të ndarjes, duhej shpresë, është e vështirë të mbledhësh fjalët kur shpirtin ta ka goditur lajmi.

Servet Pëllumbi ishte gjithmonë aty, ku duhej më shumë mençuri, durim dhe largpamësi. Të gjithë e njohën dhe e pranuan si profesorin e socialistëve. T’i lësh trashëgimi një populli të tërë imazhin e një epoke të lavdishme, kjo nuk është e papërfillshme. Qytetaria shembullore, i shërbyen forcës politike dhe gjithë shoqërisë.

Servet Pëllumbi ishte ndër të parët dhe të paktët politikanë shqiptarë që kuptoi se e ardhmja nuk ishte ajo që ishte. Ai komunikonte me kohën nëpërmjet problemeve që shqetësonin shoqërinë. Ai mendonte se politika e mirë niste nga pragu i shtëpisë së çdo shqiptari. Në librat e shumtë që shkroi dhe në prezencat e Kuvendit me forcën e vendimtari i mëshoi idesë që vlerat europiane, t’i mbajmë në vlerat e shoqërisë europiane.

Profesor Servet Pëllumbi si mendimtar dhe si lider luftoi që politika të gjenerojë kapitalin njerëzor. Nuk jetojmë në epokë ndryshimesh, por në një ndryshim epokash. Kur Fatos Nano ishte në burg, ai mbarti mbi supe sakrifica të mëdha, ai ka merita të padiskutueshme. Ashtu si mijëra njerëz në të gjithë Shqipërinë nuk do të harrojnë mirësinë e profesor Servetit. Dëgjonte pyetjet dhe u përgjigjej të gjithëve, dëgjonte hallet dhe mundohej t’i zgjidhte. Ishte politikan, filozof që do të mbetet në mendjen e të gjithë njerëzve. Lamtumirë profesor”, tha Dokle.



Skip to toolbar