Partneriteti mes FA e Gardës së New Jersey, Begaj: Bashkëpunimi shqiptaro-amerikan, gur themeli për sigurinë

AKTUALITET


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka vlerësuar partneritetin 25-vjeçar mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të New Jersey-it sot në 6 maj, si një ndër historitë më të suksesshme të bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë përkujtimore, Begaj theksoi se kjo marrëdhënie nuk është ndërtuar vetëm mbi marrëveshje zyrtare, por mbi besim të ndërsjellë, shërbim të përbashkët dhe miqësi të qëndrueshme në kohë.

Kreu i shtetit nënvizoi se partneriteti i nisur në vitin 2001, në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror, ka kontribuar drejtpërdrejt në modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura shqiptare, duke i afruar ato me standardet e NATO-s. Ai shtoi se sot ushtria shqiptare është më profesionale, më ndërvepruese dhe më e përgatitur për të përmbushur detyrimet e saj kombëtare dhe ato ndaj aleatëve.

Duke folur për rëndësinë strategjike të marrëdhënieve me SHBA-të, Begaj theksoi se ky partneritet ka qenë vendimtar në momente kyçe të historisë moderne të vendit, përfshirë konsolidimin e institucioneve demokratike dhe anëtarësimin në NATO. Sipas tij, orientimi euroatlantik i Shqipërisë është i pakthyeshëm dhe mbështetja amerikane mbetet thelbësore për sigurinë dhe zhvillimin e vendit.

Presidenti shprehu mirënjohje për ushtarakët shqiptarë dhe amerikanë që kanë shërbyer krah për krah në misione ndërkombëtare, përfshirë Afganistanin, Irakun dhe Kosovën, duke theksuar se këto përvoja kanë ndërtuar jo vetëm aftësi profesionale, por edhe besim dhe miqësi të forta mes dy vendeve.

Ai vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e stërvitjeve të përbashkëta si “Defender Europe”, të cilat sipas tij dëshmojnë gatishmërinë dhe aftësinë e Shqipërisë për të kontribuar aktivisht në sigurinë kolektive. Begaj theksoi se në një kohë sfidash globale, nga agresioni rus në Ukrainë te kërcënimet hibride e siguria kibernetike, bashkëpunimi i ngushtë brenda NATO-s dhe me SHBA-të është më i domosdoshëm se kurrë.

Në fjalën e tij, ai u ndal edhe te rëndësia strategjike e Kosovës për stabilitetin rajonal, duke riafirmuar mbështetjen e Shqipërisë për integrimin e saj në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare. Begaj vlerësoi rolin e KFOR-it dhe udhëheqjen amerikane në garantimin e paqes dhe sigurisë në rajon.

Presidenti nënvizoi se partneriteti me Gardën Kombëtare të New Jersey-it ka ende potencial për t’u zgjeruar, veçanërisht në fusha si mbrojtja kibernetike, arsimi ushtarak, modernizimi i kapaciteteve dhe zhvillimi i infrastrukturës strategjike, përfshirë projekte si baza ajrore e Kuçovës dhe porti i Porto Romanos.

Në përmbyllje, Begaj e cilësoi këtë përvjetor si një moment reflektimi dhe zotimi për të ardhmen, duke theksuar se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane mbeten një nga shtyllat kryesore të sigurisë dhe zhvillimit të vendit. Ai shprehu falënderime për të gjithë partnerët amerikanë dhe theksoi se miqësia mes dy kombeve do të vijojë të forcohet në të ardhmen.



Skip to toolbar