Analisti Roland Bejko thotë se PD është katandisur me mercenarë të huaj, që kryejnë akte dhune në protesta dhe sipas tij, kjo ka kosto të jashtëzakonshme.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Bejko u shpreh se kjo mund të jetë pjesë e një loje ndërkombëtare, ku këta mercenarë rekrutohen për të destabilizuar vendin.
Bejko shtoi se kreu i PD, Sali Berisha është lider tipik autokrat.
“Ne jemi para faktit që ishte një protestë politike. PD nuk ka aleanca të tilla, sepse e vetmja aleancë që ka me jashtë, janë Partitë Popullore Evropiane. Partitë Popullore Evropiane nuk kanë kontigjente paramilitare të gatshme për të marrë pjesë në protesta të dhunshme. Nëse PD është katandisur, që nuk gjen dot mbështetës për të bërë akte të dhunshme brenda, dhe ka filluar të hedhë sy jashtë, ka kosto të jashtëzakonshme. Do japësh diçka dhe do marrësh diçka. Çfarë ka premtuar PD, Ka dhënë vetëm para apo është pjesë e një loje ndërkombëtare, për destabilizim të vazhdueshëm.
Jemi në kontekst gjeopolitik, që Shqipëria ka një farë lidhje me konfliktin në rajon, me Iranin. Ti në Shqipëri ke komunitet të rëndësishëm politik, opozitar me ata që janë në pushtet në Iran. Prandaj jemi të alarmuar. Kundërshtarët politikë të zotit Berisha, a ndihen të sigurt ata kur Berisha rekruton kontigjente të tilla kriminale? Sali Berisha, ditët e fundit është bërë shumë agresiv ndaj mediave që i japin hapësirë kundërshtarëve të tij, sidomos të brendshëm. Nuk e pranon dot sfidën, që dikush të dalë. Ne kemi të bëjmë me lider tipikisht autokrat”, theksoi ai
