Gjatë një interviste për Real Story, Juristi Rezart Kthupi tha se policia po tregohet e butë ndaj protestuesve të dhunshëm dhe kërkoi masa më të forta për rastet e përdorimit të molotovëve gjatë protestave.
Sipas tij, molotovët janë armë luftarake dhe përdorimi i tyre duhet të trajtohet si vepër e rëndë penale, jo thjesht si sulm ndaj uniformave të policisë. Kthupi theksoi se autorët e këtyre akteve nuk duhet të lirohen pas 24 orësh, ndërsa policia duhet të identifikojë edhe burimin e molotovëve.
“Ka një sjellje të butë të policisë ndaj protestuesve. Nuk mund të lejohen molotovët; duhet të gjendej burimi i molotovëve. Policia duhet të jetë parandaluese, është strukturë e organizuar. Kemi tre muaj që themi se molotovët janë armë, është përdorim i armëve luftarake, dhe policia kur e referon tregohet e kujdesshme. Nuk është goditje ndaj uniformës, është përdorim i armëve luftarake. Këta persona të mos dalin pas 24 orësh nga burgu.”
