Griezman është blerja më e re e Barcelonës. Sulmuesi Francez u prezantua një ditë më parë te skuadra Blaugrana, pasi Barcelona pranoi të paguante gati 107 milionë euro në arkat e Atletico Madrid, për të blerë sulmuesin. Pas prezantimit zyrtar, Antoine Griezmann ka folur për mediat, ku është shprehur se ndihet i lumtur që vjen në Barcelonë, duke shpresuar se do të ndihmojë klubin për të arritur objektivat.
“Jam shumë i lumtur. Pres me padurim të punoj me skuadrën dhe të takohem me shokët e mi të rinj. Është një sfidë e re, me objektiva të tjerë. Unë shpresoj se mund të bëj mirë ashtu si kam bërë me Atleticon. La Liga, Copa del Rey, Champions League, janë objektivat e klubit dhe gjithashtu objektiva për mua, shpresoj që t`i fitojë ato trofe këtu”, është shprehur Griezmann. Sulmuesi francez tashmë gjen te Barcelona disa prej bashkëatdhetarëve të tij, Samuel Umtiti dhe Ousmane Dembele.
Ndërkohë, Griezmann ka folur edhe për Lionel Messin, sulmuesin kryesor të Barcelonës, që tashmë do t`a ketë shok skuadre dhe jo më kundërshtar në La Liga. “Mezi pres ta takoj atë, të shoh se si stërvitet çdo ditë në trajnim. Të luash pranë tij do të jetë kënaqësi e madhe. Kam dashur gjithmonë të vij këtu, familja më ka mbështetur. Për mua, është një klub i madh, dhe shpresoj ta ndihmoj që të vazhdojë të jetë akoma më i madh”, ka thënë ndër të tjera Griezmann.
Gjatë të dielës, Griezmann ka kryer vizitat mjekësore te Barcelona, dhe më pas firmosjen e kontratës së re me klubin. Më pas, gjatë fillimit të javës, 29-vjeçari do të bashkohet me kampion stërvitor me pjesën tjetër të ekipit blaugrana.