“PD do të hyjë në bisedime për të formuar një qeveri tranzitore vetëm me largimin e Ramës!” kështu ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në një deklaratë për mediat pas përfundimi të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku u miratuan edhe 3 kushtet e PD-së për të hyrë në zgjedhje, Basha tha se pa largimin e Ramës nuk mund të ketë kurrsesi zgjedhje të lira.
“Misioni ynë është i qartë. Këshilli Kombëtar, në përgjigje të aspiratës për ndryshim, ka sanksionuar hapat për betejën tonë politike që ka objektiva të qarta: të çrrënjosim krimin, korrupsionin që pamundësojnë mirëqenien, t’i shërbejmë qytetarëve shqiptarë duke i kthyer shpresën dhe mundësinë në shtëpinë e tyre. Vendimi është i qartë: PD do të futet në zgjedhje vetëm kur të garantohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. “
“Sot çdo shqiptar e ka kuptuar se kjo qeveri ka rënë. Kryeministri më i paaftë, çdokush e ka kuptuar që me Ramën nuk vazhdohet më. Largimi i tyre do na çojë drejt një qeveria tranzitore. Ne do të shpalosim propozimet tona për mandatin e një qeverie tranzitore të cilat do të përfaqësojnë konsensusin e përbashkët. Pa largimin e Edi Ramës nuk ka dialog, do vazhdojë përballja në të gjitha format.” – ka thënë Basha