Rama për Euronews: Maqedonia para Shqipërisë mund të destabilizojë rajonin

AKTUALITET


Nëse BE do të vendosë pro hapjes së negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe kundër për Shqipërinë, kjo mund të sjellë destabilizim në mbarë rajonin. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në një intervistë dhënë Euronews. Megjithëse është shfaqur tejet sportiv, me një bluzë me mëngë të shkurtra dhe me pantallona të shkurtra ku ka pritur gazetarin e euronews Jack Parrock  në vilën qeveritare në Dhërmi, ku është duke kaluar disa ditë pushimesh, Rama është treguar kritik me BE. Ai është shprehur se BE duhet t’i vlerësojë shtetet mbi bazën e përparimit që ata bëjnë dhe të mos marrë vendime vetëm mbi bazën e debatit të brendshëm që kanë shtetet për zgjerimin ose jo të BE-së.

 “Ne duhet të përballemi me atë që gjithnjë e më shumë vendimmarrja e Këshillit të Europës nuk bazohet në atë që ne bëjmë, në ato që bëjnë vendet si ne, por në situatën e brendshme ose dinamikën e brendshme politike në shtete të ndryshme anëtare. Për ne, Evropa nuk është thjesht një proces burokratik, ose nuk është thjesht një bashkim i vendeve të zhvilluara që dëshirojmë, shpresojmë ose ëndërrojmë të bashkohemi. Evropa është ajo që ishte për baballarët themelues, para së gjithash një projekt i paqes dhe bashkëpunimit”, thotë Rama.

Ai shton se Maqedonia e meriton plotësisht çeljen e negociatave falë nënshkrimit të marrëveshjes historike me Greqinë, por edhe Shqipëria ka bërë rrugë përpara dhe është vlerësuar në raportet e vetë BE-së.

Për Euronews ka folur edhe ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca. Ai vlerësoi reformat që ka ndërmarrë Shqipëria, por shtoi se ka ende punë për të bërë. ‘Ka zona ku institucionet shqiptare në tërësi duhet të vazhdojë të punojnë. Lufta kundër korrupsionit është një luftë e përditshme, po ashtu lufta kundër krimit të organizuar të cilin trafiku i drogës po ia ndryshon lëkurën” tha ai. Vendimmarrja për Shqipërinë është shtyrë nga qershori për në shtator.

Franca, Holanda dhe Danimarka janë shtetet të cilat kundërshtojnë zgjerimin e mëtejshëm të BE-së dhe kjo ka bërë që negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të shtyhen sërish.



Skip to toolbar