PD proteston kundër Valdrin Pjetrit në Shkodër, Bardh Spahia drejton militantët, lë në hije Voltana Ademin

AKTUALITET


Në qytetin e Shkodrës pasditen e të mërkurës është mbajtur një protestë nga militantët e Partisë Demokratike, kundër Valdrin Pjetrit. Protesta e drejtuar nga funksionarë të lartë të PD-së në Shkodrë, është zhvilluar përpara Prefekturës së qytetit verior. Me parulla “Bijtë e etërve persekutorë larg Shkodrës”, “Tik-tak, Edi Rama në batak”, apo thirrje “Rama ik”, militantët e Partisë Demokratike kanë marshuar drejt bashkisë së këtij qyteti.

Ajo që ka rënë në sy gjatë protestës ka qenë roli protagonist i ish-deputetit Bardh Spahia, i cili ka drejtuar militantët e PD gjatë protestës. Spahia është shfaqur gjatë gjithë kohës i vetëm krahë militantëve, pa praninë e zyrtarëve të tjerë të PD në Shkodër. Madje në protetsë nuk është shfaqur as Voltana Ademi, kryebashkiakja aktuale e Shkodrës. Të paktën nga pamjet e transmetuara drejtpëdrejt Ademi nuk është dukur gjatë kohës që protestuesit marshonin nga prefektura në drejtim të bashkisë.

Edhe në fund të protestës, kur Bardh Spahia ka mbajtur një prononcim për mediat, ai është shfaqur vetëm i rrethuar nga protestues, ndërsa mungonte Voltana Ademi. Ademi ka qenë në protestë, por mesaduket ka zgjedhur të mos marrë rol protagonizmi në këtë protestë. Gjithsesi, nga fillimi deri në fund, kanë qenë qytetarët shkodranë dhe Bardh Spahia, që kanë folur për mediat në lidhje me organizimin e protetës të së mërkurës, kundër “uzurpimit të bashkisë së Shkodrës” nga Valdrin Pjetri.

Pas publikimit nga PD të disa dokumenteve, ku pretendohet dënimin i Pjetrit në Itali, konsituimi i këshillit bashkiak dhe betimi i kryetarit të ri të bashkisë ka mbetur pezull, deri në daljen e të vërtetës zyrtare nga institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme. Valdrin Pjetri ka mohuar të jetë dënuar në Itali për shitje droge, ndërkohë që opozita pretendon se dokumentet e saj janë origjinale.

Për rastin në fjalë kryeministri Edi Rama ka shprehur qëndrimin e tij, duke u distancuar deri në pritje të së vërtetës zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme. Ndërkohë, në rast se vërtetohen akuzat e PD për Valdrin Pjetrin, në Shkodër do të duhet të përsëriten zgjedhjet për kryetar bashkie. Ky zhvillim i fundit në skenën politike në vend, parashihet edhe si një mundësi për t`i dhënë fund krizës së gjatë politike që ka nisur prej shkurtit të këtij viti.



Skip to toolbar