Grabitja e parave në Rinas, Lleshaj paralajmëron arrestime të tjera


Ministri i Brendshëm, Sandër LLeshaj ka paralajmëruar arrestime të tjera për grabitjen e parave në Rinas. LLeshaj ka qenë i pranishëm sot në Kukës për të marrë pjesë në nismën “Ministri një ditë në qark”, ku ka folur për grabitjen e parave në Rinas, ndërsa ka thënë se policia është në kërkim të personave të tjerë, përveç atyre që tashmë janë arrestuar.

“Kjo çështje është ende nën hetim. Megjithëse ka ecur shumë, unë nuk mund të ekspozoj detaje të shumta. Unë them se grupi tashmë i shkatërruar tashmë ka një arkiv të pasur të aktiviteteve  negative kriminale jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë. Procedurat e hetimit vazhdojnë në funksion të zbardhjes dhe kapjes së autorëve. Do të ketë arrestime të tjera. Disa nga krerët e grupit janë arrestuar por ka edhe të tjerë”, tha ministri.


I pyetur në lidhur me protestat e opozitës që tashmë i janë rikthyer bllokimit të rrugëve, Lleshaj tha se është një degradim politik.

“Është e drejta e të gjithëve për të protestuar. Por bllokimi i rrugëve është degradim politik në të gjitha aspektet. Nuk është bllokimi i rrugëve zgjidhje politike. Nuk mund ta mbysësh qeverinë duke bllokuar rrugët, qeverinë e mbyt duke fituar zgjedhjet. Duke bllokuar rrugët mbyten qytetarët. I bëj thirrje opozitës nga Hasi, të kthjellohen e ti thërrasin arsyes dhe të kthehen në rrugët normale të politikës.”, tha ministri Sandër Lleshaj.




Skip to toolbar