Aleatët e vegjël të Bashës duket se nuk po gjejnë një dakordësi mendimesh mes tyre duke treguar se po nisin përçarjet mes opozitës së bashkuar. Përçarja e parë nisi me regjistrimin në zgjedhjet e 13 tetorit, ku LSI së bashku me PR, të Fatmir Mediut dhe PAA e Agron Dukës vendosën të regjistroheshin, ndërsa PD e njohu dekretin e Metës si datën e vetme kushtetuese për zgjedhje, por vendosi të mos merret pjesë në to.
Kjo përçarje duket se po thellohet edhe më shumë, pasi Fatmir Mediu e ka kuptuar se lufta e vërtet me qeverinë dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve bëhet në parlament dhe jo në rrugë. Mediu shprehet i penduar për djegien e mandateve dhe cilëson se opozita duhet ta vazhdonte luftën e saj në parlament. Madje ndryshe nga Basha, Mediu thotë se është pro negociatave me PS.
“Deri tani është menduar se duhet të ulet Basha dhe Rama në dialog. Kjo është absurde, pasi duhet të ulet pozita dhe opozita. Jam pro negociatave me PS. Opozita duhet të vijojë betejën e saj me të gjitha elementet dhe mënyra e mundshme, dhe parlamenti është institucioni më i vlefshëm.”- tha Mediu për mediat vizive, por duket se në një linjë krejt të kundërt duket kreu i PAA, Agron Duka i cili i qëndron më shumë linjës së Bashës, ku shprehet pro djegies së mandateve si një hap i detyrueshëm dhe se nuk mund të ketë bisedime me Ramën kryeministër.
“Opozita nuk negocion dhe nuk hyn në zgjedhje me Ramën kryeministër, pasi ai ka treguar se nuk ka vullnet të bëj zgjedhje të lira dhe të ndershme. Djegia e mandateve erdhi si një hap i detyrueshëm për opozitën.”- tha Duka
Duket se përçarjet brenda opozitës nisën që me nisjen e shtatorit, ku pritet që opozita e bashkuar të vendos se çfarë aksioni politik do të ndjek.