Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat, Rudina Hajdari shkruan se do të jetë SPAK dhe BHK që do të hetojnë krimet elektorale të së kaluarës dhe se këtë gjë s’mund ta bëjnë deputetët për njëri -tjetrin.
“Në të vërtetë, Komiteti Ad Hoc për Reformën Zgjedhore, theksoi se për të pasur një reformë gjithëpërfshirëse të zgjedhjeve ata që kanë manipuluar zgjedhjet në të kaluarën duhet të mbajnë përgjegjësi. Sidoqoftë, këto hapa do të ndërmarrin SPAK & BKH, pasi politikanët nuk mund të bëjnë gjyqe për njëri-tjetrin”, shkruan Rudina Hajdari.
Kjo deklaratë e saj vjen vetëm një ditë pas tryezës së organizuar nga OSBE për Reformën Zgjedhore dhe vjen si përgjigje ndaj kushteve të përfaqësuesve të PD-së, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Damian Gjiknurit nga drejtimi i Komisionit Parlamentar të Reformës zgjedhore. Sipas PD-së ai nuk mund ta drejtojë këtë komision pasi duhej të ishte në burg për shkak të krimeve elektorale që sipas PD janë zbuluar nga përgjimet e publikuara nga BILD. Ndërkohë që çështja është ende nën hetim PD kërkon burg për Gjiknurin. Por përgjigjen e jep deputetja e PD-së Rudina Hajdari. Ajo thotë se nuk janë deputetët ata që duhet t’i bëjnë gjyqin njëri tjetrin, por kjo çështje i përket SPAK-ut.
Tryeza e së mërkurës e OSBE-së u përfshi nga debate të forta, ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso propozoi që reforma zgjedhore të bëhet nga ndërkombëtarët. Por si ambasadori i OSBE-së, dhe kryeministri Rama e kundërshtuan një propozim të tillë./realstory.al