Klubi i Tiranës është distancuar nga dhuna që përfshiu fushën e blerët ku u zhvillua derbi kryeqytetas. Klubi i bardhebluve ka dënuar dhunën e ndodhur mes tifozerisë së dy skuadrave, si dhe është shprehur qartë se nuk mban përgjegjësi për 3 gropat e hapura gjatë natës, që ishin mbushur me një sasi lënde piroteknike me mekanizëm me ndezje elektrike. “Ne jemi klub futbolli dhe jo institucion policor” është shprehur klubi i bardhebluve, i cili ishte dhe ekipi mikpritës i ndeshjes.
Në një komunikatë për mediat, Klubi i Tiranës shprehet se të gjitha pamjet filmike i janë vënë në dispozicion policisë për të hetuar dhe arrestuar përgjegjësit. Gjithashtu Klubi i Tiranës i ka bërë thirrje atij të Partizanit që të bashkëpunojë me policinë nëse ka prova, ndërsa i ka dhënë një mesazh të qartë që të mos hiqet si hetues apo provokator.
“Klubi i Futbollit Tirana distancohet nga te gjitha aktet e dhunës, shfaqjet e shëmtuara jo sportive dhe dënon ashpër te gjitha problematikat e krijuara nga tifozët në ndeshjen Tirana – Partizani. KF Tirana ka zbatuar me rigorozitet planin e masave të hartuar me Policinë e Tiranës për mbarëvajtjen e takimit brenda dhe jashtë stadiumit “Selman Stermasi”. Në përfundim të takimit, klubi ka venë në dispozicion të Policisë, serverat e sistemit të kamerave të stadiumit, për të gjetur dhe dënuar më pas përgjegjësit e incidenteve në stadium por edhe autoret e incidenteve të mbetura fatmirësisht në tentativë.
Klubi i Futbollit Tirana është një klub futbolli dhe jo një institucion policor. Si i tillë, konform të gjithë rregullave të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ligjeve të Shtetit Shqiptar, kemi marre masa organizative për ndeshjen, si dhe dokumentuar me pamje filmike incidentet dhe dorëzuar ato me pas në institucionet përkatëse.
Ftojmë KF Partizanin të ruaj qetësinë, bashkëpunojë me Policinë nëse disponon materiale filmike apo prova për të gjetur autorët dhe fajtorët e incidenteve në stadium. Një klub futbolli mund dhe duhet të mos kalojë kompetencat për të folur nxituar here si hetues dhe here te tjera si prokuror” thuhet në deklaratën e klubit të Tiranës.
Para fillimit të ndeshjes Tirana-Partizani, në stadiumin ‘Selman Stermasi’, tifozët e të dy skuadrave u përfshinë një dhunë e skena përgjakje. Për ndalimin e saj është dashur ndërhyrja e policisë private, policisë së Tiranës dhe FNSH, për qetësimin e gjendjes.
Gjatë ditës së hënë policia tha se janë proceduar 9 persona për aktet e dhunës, nga këta 1 është arrestuar, 2 janë shpallur në kërkim dhe 6 persona të tjerë do hetohen në gjendje të lirë. Dy persona që janë ende në kërkim dyshohet se janë edhe përgjegjësit e hapjes së gropave gjatë natës, të cilat i kishin mbushur me një sasi lënde piroteknike me mekanizëm me ndezje elektrike, përmes të cilave do të sulmonin kundërshtarët. Fatmirësisht ky mekanizëm mbeti thjeshtë në tentativë.