Hoteli me 5 Yje, “Plaza Tirana”, do të ndryshojë emrin. Hoteli i njohur në qendër të Tiranës, do të bashkohet me rrjetin e hoteleve gjermane “Maritim Hotels”. Ceremonia e përurimit të këtij bashkëpunimi do të bëhet në datën 17 tetor. Prej asaj dite, “Plaza Tirana”, do të quhet “Maritim Hotel Plaza Tirana”. Hoteli i njohur në kryeqytet, ushtron aktivitetin e tij në fushën e hotelerisë prej vitit 2016.
Hoteli është konceptuar për të ofruar shërbim cilësor, me dizajn modern dhe eksperiencën unike që u ofron klientëve. Megjithatë, sipas investitorëve të këtij hoteli, qëllimi kryesor është përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë. Për këtë arsye, është vendosur të bashkëpunohet me liderin gjerman në industrinë e hotelerisë, “Maritim Hotels”, themeluar në vitin 1969.
Ky grup hotelerie përmban portofolin e tij në më shumë se 40 hotele në shtete si Gjermani, Spanjë, Hollandë, Turqi, Kinë, Bullgari, Maltë, Mauritani, etj. Prej datës 17 tetor, ky grup hotelerie do të jetë edhe në tregun shqiptar, duke nisur bashkëpunimin me “Plaza Tirana”, që do të ketë emrin e përbashkët “Maritim Hotel Plaza Tirana”.