Kapet gruaja me 41 mijë euro në trup dhe çantë

AKTUALITET


Policia kufitare ka arritur të zbulojë 41 mijë euro, të cilat një grua do i kalonte nga Shqipëria në Greqi të padeklaruara. Burime zyrtare nga policia thanë se shuma e madhe e eurove i përkiste një 46-vjeçareje, e cila do të procedohet penalisht për mosdeklarim të të hollave në kufi.

Policia deklaroi se në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, efektivat e Stacionit të Policisë Kufitare Kakavije, përzgjodhën për kontroll në vijën e dytë shtetasen M. Sh., 46 vjeçe, banuese ne Fier. Gjatë kontrollit në vijën e dytë kësaj shtetase nga ana e shërbimeve të policisë kufitare në bashkëpunim me shërbimet doganore, iu gjetën të fshehura në çantë dhe në trup një sasi prej 41.210 euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i të afërmve të kësaj shtetase.

Në vendngjarje kanë mbërritur Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare ne D.V.P. Gjirokastër, të cilët bënë sekuestrimin e shumës së eurove dhe në bashkëpunimin me Prokurorinë filluan procedimin penal ndaj 46-vjeçares për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.



Skip to toolbar