Kombëtarja e ka mbyllur në avantazh 3-0 pjesën e parë ndaj Moldavisë. Pas golit të Cikalleshit, Shqipëria dyfishoi rezultatin ndaj Moldavisë në minutën e 34`. Mesfushori Keidi Bare, që në këtë ndeshje është aktivizuar në pozicion më të avancuar, gjeti rrjetën pas një gabimi të portierit kundërshtar. Gardiani i portës moldave humbi kontrollin e topit, dërsa Bare përfitoi duke e dërguar në rrjetë.
Ndërkohë, në minutën e 39` të sfidës erdhi dhe supergoli i Lorenc Trashit. Mbrojtësi i Partizanit gjeti rrjetën duke shënuar një gol fantastik me këmbën e majtë nga jashtë zonës.
Një gol që do ta kishte zili edhe një sulmues profesionist. Kështu kuqezinjtë e mbyllin në avantazh pjesën e parë ndaj skuadrës moldave, duke dominuar në gjithçka.
Edhe Kosova dyfishoi ndaj Malit të Zi në minutën e 34` me Muriqinin. Dardanët gjetën rrjetën me një gol spektakolar, pas dy tentativave dhe një gafe të portierit malazez. Kosova e ka mbyllur në avantazh pjesën e parë me rezultatin 2-0 ndaj Malit të Zi duke bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në Euro 2020.