Kukësi shkon në finalen e kupës, Skënderbeu dorëzohet përfundimisht!

SPORT


Kukësi është finalisti tjetër i Kupës së Shqipërisë, ku përballë do të ketë Tiranën më 2 qershor. Skuadra e trajnerit Ernest Gjoka ka arritur të kualifikohet pas dy ndeshjeve të fituara ndaj Skënderbeut, me takimin e parë të luajtur në Kamëz (2-1) dhe takimin e sotëm që u mbyll 1-3 për Kukësin.

Sakaq Skënderbeu e ka mbyllur pa lavdi këtë sezon, duke pasur parasysh faktin se korçarët rrezikojnë të mos arrijnë zonën e Europës, ndonëse ende nuk ka dalë dhe vendimi i CAS në lidhje me dënimin e UEFA-s.

Skuadra verilindore ka zhbllokuar takimin me Reginaldon, duke shënuar me kokë nga brenda zonës. Më pas, një autogol i Abazit tre minuta para përfundimit të pjesës së parë i ka dhënë dyfishimin e rezultatit skuadrës së Gjokës.

Megjithatë, Skënderbeu ka ngushtuar shifrat pas pushimit të pjesës së parë me Dejvi Bregun. Por Valdet Rama ka trefishuar dhe vulosur takimin për 3-1 në favor të Kukësit, duke i hequr shansin Skënderbeut për të mbrojtur trofeun e fituar vjet në finale ndaj Laçit.



Skip to toolbar