Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti takoi të mërkurën përfaqësuesen e LDK-së, Vjosa Osmani, me të cilën diskutoi rreth krijimit të kabinetit të ri qeveritar në Kosovë. Kurti bëri të ditur lajmin e takimit me Osmanin, duke publikuar një foto me të. Ndonëse nuk jep shumë detaje nga takimi, Albin Kurti lë të kuptohet se me Vjosa Osmanin janë vënë pikat mbi ‘i’ për krijimin e qeverisë së re.
“Bashkë me Vjosën biseduam sot për përgatitjet për qeverisjen e re dhe sfidat që na presin. Kosova do të dalë nga kriza dhe do të përparojë. Bashkëpunimi ynë është përkushtimi ynë. Qëllimet e mira dhe punët e mbara janë përgjegjësi e jona ndaj qytetarëve të Republikës dhe institucioneve të shtetit”, shkruan Albin Kurti.
Kanë kaluar tre javë nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, ku Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës fituan shumicën e votave, por ende nuk ka asgjë zyrtare për emrat e kabinetit të ri qeveritar. Megjithatë, pas takimit të së mërkurës, duket se dy partitë kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe së shpejti do të krijojnë qeverinë e re.