Paratë ruse, PS kërkon që Basha të hetohet nga SPAK

#NËRADAR


Prokuroria mbylli hetimet për lobimin rus të Partisë Demokrtike në SHBA. Lulzim Basha është marrë zyrtarisht i pandehur, por ai do të gjykohet për akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe jo për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Pak orë pasi u publikua vendimi i Prokurorisë për akuzat ndaj kryedemokratit dhe për dy zyrtarë të Partisë Demokratike, Arben Ristani e Ilir Dervishi, reagoi dhe Partia Socialiste.

Numri dy i Selisë Rozë, Taulant Balla shkruajti në Tëitter se “Lulzim Basha nuk mund të gjykohet vetëm si falsifikator”. Sipas deputetit socialist, Prokuroria e ka vërtetuar pagesën prej 500 mijë dollarë bërë nga PD për lobimin në SHBA. Ndërsa ai ngre pyetjen se pse mungon akuza për “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

“Lulzim Basha nuk mund të gjykohet vetëm si fallsifikator. Prokuroria në dokumentin e bërë publik ka vërtetuar pagesën 500 mijë dollarë vepra tjetër penale për të cilën u akuzua “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” qëndron. Pse në konkluzion kjo akuzë mungon?”, thotë Taulant Balla.

Ndaj, në këto rrethana, numri dy i socialistëve shprehet se dosja e lobimit rus të Partisë Demokratike në SHBA duhet të hetohet nga Prokuroria Speciale, SPAK. “Teksa shqiptarët presin të ngrihet SPAK është papranueshme që prokurorë të caktuar të bëjnë amnisti për vepra penale kaq të rënda. Gjykata nuk duhet ta pranojë dhe duhet ta rikthejë për hetim. Kjo dosje duhet të hetohet nga SPAK jo nga KÇK”, përfundon Taulant Balla.

Më herët, prokuroria kishte ngritur për ta edhe akuzën për veprën penale “Pastrim i Produkteve të Veprës Penale ose Veprimtarisë Kriminale”, por që kjo akuzë nuk është ngritur, pasi në argumentin e vet, prokuroria thotë se është thelbësore dëshmia e lobistit Muzin për të faktuar një akuzë të tillë./Realstory.al/



Skip to toolbar