Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, konfirmoi në detyrë zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të SHÇBA, Adriatik Ago. Numri dy i Shërbimit për Çështjet e Brendshme, rezultoi pa probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës.
Adriatik Ago doli përpara Vettignut pesë ditë më parë. Ndërkohë, pasi shqyrtoi dokumentacionin e vetëdeklarimit të Adriatik Ago, trupa vlerësuese e përbrërë nga Ana Kapaj, relatore, Elvira Dabredaku, kryesuese e trupës, dhe Elida Liko anëtare, vendosi të konfirmonte në detyrë Adriatik Ago.
Sipas trupës gjykuese, zëvendësdrejtori i SHÇBA ka bërë deklarim të saktë të pasurisë dhe ka burime që e justifikojnë atë. Gjithashtu, ai rezultoi pa probleme në lidhje me integritetin etik dhe profesional. Pesë ditë më parë, vettingu në polici nisi me shkarkime nga detyra.
Drejtori i Ankesave në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pranë Policisë së Tiranës, Oltion Shehu u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit, pasi iu gjetën shkelje në aspektin e pasurisë. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit pasi shqyrtoi raportet vendosi që ta përjashtonte Shehun.