Ish Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, ka reaguar në lidhje me debatin për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese. Xhafaj ka sulmuar Vitore Tushën, gjyqtaren me mandat të mbaruar në Gjykatën Kushtetuese, pas njoftimit që është hedhur në web e kësaj gjykate ku thuhet se njeh Xhaferllarin dhe nuk ka kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar rastin e Arta Vorpsit, e zgjedhur në mënyrë automatike nga ligji me mbarimin e afatit kohor, emri i të cilës është publikuar në Fletoren Zyrare. Xhafaj ngre pyetjen se cilës Tushe duhet besuar asaj që njeh Arta Vorpsin apo asaj gjyqtare që nuk respekton as vendimin e organit që drejton. RealStory.al tha të shtunën se në fakt Vitore Tusha ka vepruar e vetme në përgjedhjen e Xhaferllarit, pa mendimin e anëtarëve të tjerë.
Xhafaj sulmon edhe Metën duke thënë se ai nuk ka të drejtë të vendos jashtë afateve kushtetuese dhe se mungesa e arsyes së tij bën që germat e Kushtetutës të lexohen keq. Xhafaj tha se emërimi i Marsida Xhaferllarit është i paligjshëm pasi nuk është dekreti i presidentit që të bën anëtar të gjykatës kushtetuese, por kushtetutshmëria e zgjedhjes nga organi që e gëzon këtë të drejtë, me afatet e procedurën e duhur.
“Në web e Gjykatës Kushtetuese znj.Tusha ka botuar listën e anëtarëve të rinj! Pyetja është kë të besojmë, znj.Tusha n/kryetare të KED që ka shpallur znj.Vorpsi fituese apo znj.Tusha gjyqtare që nuk respekton as vendimin e organit që drejton. Në cilin kuorum të Gjykatës Kushtetuese u bazua kjo vendimmarrje? Në bindjen time znj.Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Nuk plotëson kushtet dhe kriteret për të qenë e tillë. Votimi klientelist dhe lidhjet shoqërore brenda KED e përfshinë në listë ish Kryeinspektoren e KLD së vjetër që degradoi sistemin.
Presidenti, sipas meje, në këtë rast nuk ka të drejtë. Ka nxjerrë një dekret të paligjshëm në tejkalim të afatit ligjor. Nuk të bën betimi gjyqtare, por kushtetutshmëria e zgjedhjes nga organi që e gëzon këtë të drejtë, me afatet e procedurën e duhur. Kushtetuta që Presidenti e ka votuar, por nuk e ka shkruar, është produkt i Ekspertizës më të mirë vendase dhe SHBA, BE dhe Gjermanisë. Opinioni i Komisionit të Venecias ka theksuar qartë domosdoshmërinë e afateve & mekanizmave zhbllokues. Partnerët bashkë-hartues të kushtetutës e ligjit të Gjykatës Kushtetuese duhet të reagojnë qartë.
Zbatimi i Reformës në Drejtësi kërkon axhendë të qartë veprimi, angazhim e përgjegjshmëri dhe kryesorja objektivitet e paanshmëri. Situata e koklavitur, jo për faj të kushtetutës e ligjit, por gabimeve në zbatim. Pasojë e mendjeve të nxehta e qëllimkëqija. Kur arsyeja mungon, fryma dhe germa e kushtetutës lexohen keq, duhet reagim. Kryesorja me mekanizma politikë, por edhe me veprime të mirëmenduara ligjore, institucionale dhe gjyqësore. Nëse duhet ka edhe precedentë e ekspertizë ndërkombëtare” shkruan Xhafa në twitter.
RealStory.al njoftoi të shtunën se në fakt Vitore Tusha ka vepruar e vetme për të njohur Marsida Xhaferllarin dhe jo Arta Vorpsin, një akt i rëndë nga ana e saj, pasi në asnjë rast nuk mundet që një drejtuese në detyrë e Gjykatës Kushtetuese të vendosë për çfarë po ndodh me anëtarët e saj. Dhe për më tepër bën çudi heshtja e gjyqtareve të reja, pasi një vendim i tillë duhet të merret në unison me 4 anëtarët legjitim të Gjykatës Kushtetuese ose në rastin më të mirë do të duhet që Gjykata të plotësohet me 6 anëtarë dhe më pas të merret një vendim i tillë.