Autoriteti Kombëtar i Aviacionit Civil në Itali informoi se ka urdhëruar pezullimin e licensës së operimit për transportin e udhëtarëve dhe mallrave për kompaninë ajrore “Fly Ernest”. Kjo kompani operon edhe në tregun shqiptar, për udhëtimet midis Shqipërisë dhe Italisë.
Pezullimi hyn në fuqi në datën 13 janar 2020, me qëllimin e vetëm që kompania të rregullojë transportin e udhëtarëve që tashmë kanë blerë bileta si dhe të sigurojë udhëtarët për fluturimet e anuluara.
Aviacioni Civil italian nuk jep arsye pse ka pezulluar licencën e “Fly Ernest”, por nisur nga deklarata duket se ajo lidhet me vonesat që kjo kompani ka krijuar me transportin e udhëtarëve.
Ndërkohë, sipas komunikatës së Autoritetit të Aviacionit Civil në vendin fqinj, nëse transportuesi siguron elementet e garancisë të kërkuara nga rregulloret dhe nëse këto elemente vlerësohen në mënyrë të favorshme nga ky autoritet, masa e pezullimit mund të revokohet.
“ENAC do të vazhdojë të monitorojë kompaninë ajrore në mënyrë që të verifikojë miratimin e të gjitha nismave të mundshme për të mbrojtur respektimin e të drejtave të pasagjerëve”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.