Ish kryeministri Berisha ka reaguar edhe për krizën e vitit 2006 ku Rama, në atë kohë në opozitë, kërkonte shtyrjen e zgjedhjeve duke bërë një paralele me krizën aktuale. Berisha tha Rama nuk e do opozitën dhe këtë e tregoi me nxitimin e tij për të zëvendësuar deputetët e opozitës që dogjën mandatet. “Nuk do të pranoja kurrë zgjedhje pa opozitën, pasi do kalohej në monizëm.” ishte përgjigja e Berishës në Opinion kur u pyet nëse ai vetë do të shkonte në zgjedhje pa opozitën.
“Në mënyrë absolute nuk do shkoja në zgjedhje pa opozitën. Pa opozitën nuk shkoja kurrë në zgjedhje, sepse shkoja në monizëm. Zgjedhjet nuk janë vetëm për qeverinë. Ai kërkonte për shkak të certifikatave shtyrjen e zgjedhjeve, unë iu them ju këtu që në mënyrë absolute nuk do shkoja pa e tërhequr zvarrë për ta futur në zgjedhje. Kushtetuta është e rëndësishme por mbi kushtetutën janë themelet e saj. Ka me dhjetra politikanë shqiptarë, por të garantoj këtu nuk kam njohur kurrë në jetën time një të dytë si Edi Rama në qëndrimin ndaj votës. Ka një qëndrim aq patologjik sa nuk e ka njeri dhe nuk mund ta honeps votën. Po ta lexoni letrën dje ai thoshte shyqyr që nuk po vini në zgjedhje. 30 qershori thoshte nuk diskutohet, domethenë të marr 61 bashki. Në mënyrën më të rrufeshme të nesërmen, kur opozita dorëzoi mandatet, ai të nesërmen i çoi në KQZ. Një kryeministër që nuk është verbuar, bënte dhe minutën e fundit të një muaji nuk i dërgonte ato në parlament. Si ish-kryeministër unë nuk i çoja as në orën 12 pas një muaji, për të dhënë të gjitha mundësitë për një kompromis.”