Albi Xhunga: Beteja ndaj ekstremizmit fetar

OPINION


Ekzekutimi barbar i një mësuesi në rrethinat e Parisit nga një ekstremist islamik me origjinë çeçene ka ringjallur edhe njëherë makthet e akteve terroriste që kanë tronditur Europën në vitet e fundit. Debati publik për këtë çështje, por edhe për ekstremizmin në përgjithësi, ka kapërcyer kufijtë francezë dhe po bëhet sot një lloj beteje propagandistike e ideologjike e rrafshit ndërkombëtar me në krye dy protagonistë kryesorë, presidentin francez Emanuel Macron dhe atë turk Rexhep Taip Erdogan.

Presidenti Macron ka nisur përmes një fjalimi që mban datën 2 tetor (rreth dy javë përpara vrasjes së mësuesit Samuel Paty) planin e një reforme të komunitetit musliman francez, të cilën ai e quan luftë kundër separatizmave.


Në këtë diskurs, i cili origjinën e ka në programin elektoral të kandidatit Macron në fushatën presidenciale të vitit 2017, presidenti e vë theksin në dy linja kryesore të planit të tij që sot ka marrë formën e një projekt-ligji, tendenca separatiste e një minoriteti jo përfaqësues të komunitetit musliman francez dhe fenomenin e krijimit të getove me emigrantë kryesisht muslimanë të cilat ushqejnë një lloj ndarje të këtij komuniteti me pjesën tjetër të shoqërisë dhe për këtë fenomen Macron akuzon një pjesë të të zgjedhurve lokalë. Në këtë plan Makron përveçse tenton të forcojë kontrollin e fondeve të dyshimta që vijnë nga jashtë për komunitetin musliman, ndalimin e shkollave fetare klandestine, imamëve të huaj, si dhe afrimin e komunitetit musliman me vlerat e republikës dhe nga ana tjetër aspiron të shteti të bëjë më shumë për të luftuar fenomenin e getove, duke vënë thëksin në disbalancat sociale që ky fenomen ka prodhuar.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan shihet prej kohësh me simpati nga komuniteti musliman europian. Përveç  në popullsinë muslimane me origjinë turke që jeton në disa shtete të Europës, influenca e tij shtrihet edhe në komunitetet e tjera të besimit musliman që popullojnë sot kontinentin e vjetër. Nuk janë vetëm paratë për ndërtimin e xhamive baza e këtij popullariteti. Është më së shumti qasja e tij si një kalif i kohëve moderne që mbron çështjen muslimane në arenën ndërkombëtare. Edhe pse vrasja e mësuesit u dënua nga presidenca turke përmes zëdhënësit, mbrojtja që presidenti Macron i bëri karikaturave të profetit Muhamet në kuadrin e lirisë së shprehjes ngjalli indinjatën e presidentit Erdogan, i cili përveçse vuri dy herë radhazi në dyshim shëndetin mendor të presidentit francez, bëri edhe thirrje për bojkot të produkteve franceze. Natyrisht që këtu ka rol edhe qasja e Francës në konfliktin greko-tork për kufijtë detarë.

Thirja për bojkot të produkteve franceze pati jehonë në disa vende muslimane. Në rrjetet sociale kanë dalë pamje me raftet e boshatisura nga këto produkte në vende si Katari dhe Jordania. Por nga ana tjetër deklaratat e presidentit turk kanë sjellë edhe reagime nga pothuaj të gjitha kancelaritë europiane në mbështetje te presidentit francez. Beteja vazhdon…

Shqipëria nuk mund të ndihet e përjashtuar nga rreziku ekstremist që vazhdon të kërcënojë perëndimin. Beteja ushtarake ndaj të ashtuquajturit Shteti Islamik u fitua, por elementë të tij ende vazhdojnë të inspirojnë dhe influencojnë elementë me tendenca radikale në mbarë Botën. Shërbimet sekrete perëndimore raportojnë se ka ende shumë resurse humane dhe financiare të mbetjeve të kësaj organizate në qarkullim dhe se lufta është shumë larg fundit. Hetimet e mëtejshme të vrasjes së mësuesit Samuel Paty, një 18 vjeçar me origjinë çeçene, familja e të cilit kishte fituar azil në Francë, tregojnë se ngjarja nuk ishte një fenomen i izoluar. Vrasësi kishte kontakte të rregullta me terroristë në Siri dhe fill pas vrasjes iu kishte nisur atyre një foto makabre të kokës së prerë.

Prezenca e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm në Liban, tregon se as Shqipëria nuk i ka të mbyllura llogaritë me këtë problem. Në qoftë se një shtet i fuqishëm si Franca ndjen nevojën për të mbikqyrur fondet që vijnë nga jashtë për komunitetin musliman, me frikën se kontribuesit në qëllimet e tyre nuk kanë vetëm ndërtimin e xhamive, edhe Shqipëria duhet të rrisë përpjekjet për një kontroll më rigoroz të parave që vijnë nga jashtë duke verifikuar origjinën reale dhe qëllimin e tyre.

Ekzistenca e një rryme ekstremiste në komunitetin musliman shqiptar është tashmë realitet. Përveç personave të dënuar me vendim gjykate për terrorizëm e propagandë ekstremiste, ka në Shqipëri një pjesë të këtij komuniteti që indoktrinohet përmes forumeve ndërkombëtare në rrjetet sociale. Shembull i qartë për këtë ishte një zonjë e ftuar në një nga emisionet televizive në prime time, e cila në mënyrë kriminale relativizoi vrasjen e profesorit Paty, shprehu empati për vrasësin dhe sulmoi disa nga vlerat themelore të shoqërisë sonë. Zonja në fjalë pretendonte të ishte avokate. Kur në studio u tha se profesor Paty u vra pa gjyq, ajo tha se edhe i riu çeçen u vra pa gjyq. Dmth për këtë zonjë vrasja makabër e Samuel Paty dhe vrasja nga policia të një personi të armatosur që sapo ka kryer një krim makabër dhe i reziston rofcave të rendit janë njësoj, vrasje pa gjyq.

Anëtarë të kësaj pjese me tendenca radikale të komunitetit musliman shqiptar nuk i njohin as autoritetet legale të këtij komuniteti si myftinjtë etj, sepse sipas tyre këta janë shumë të ndikuar nga politika. Kjo sjell praktikimin e fesë nëpër skuta rrjetesh sociale të pakontrolluara dhe shpesh të rrezikshme. Zonja në fjalë i përmbushte të gjitha parametrat e një eksponenteje të këtyre rrymave, pasi identifikimi i tyre është shumë i thjeshtë. Ata flasin të gjithë me të njëjtën gjuhë, përdorin të njëjtët shembuj dhe iu referohen të njëjtave ngjarje. Artikulimi i tyre është si një vjershë e mësuar përmendësh dhe diskursit të tyre i mungon elementi human, elementi logjik dhe elementi faktik. Gjithçka relativizohet. Përfaqësuesi më elokuent i tyre në Europë ka qenë Tarik Ramadan, një ideolog musliman zviceran me origjinë egjiptiane, nip i njërit prej themeluesve të Vëllezërve Muslimanë në Egjipt. Sot ky person është nën akuzë për dhunë seksuale ndaj disa grave.

Është padyshim i admirueshëm kujdesi i shtetit për viktimat shqiptare gra e fëmijë të mbetur të bllokuar në kampet e ISIS, por nuk duhet të lihen jashtë vëmendjes fenomenet shqetësuese të radikalizimit të disa rrymave të komunitetit paqedashës musliman shqiptar. Në një Botë të konektuar radikalizimi bëhet më i thjeshtë dhe lufta ndaj fenomenit më e komplikuar. Ishte ky radikalizim që çoi drejt Sirisë një numër të konsiderueshëm qytetarësh shqiptarë, familjet e të cilëve kanë mbetur sot atje. Shteti duhet të vlerësojë problemin dhe të ndërmarrë veprime konkrete për ta luftuar sa më shpejt. Nëse i lemë të radikalizuarit që nga dhjetra të bëhen qindra e mijëra, nesër mund të jetë shumë vonë.




Skip to toolbar