Albi Xhunga: Kauza boshe e të mënjanuarve

Më të fundit


Dorëzimi i listave në Kominionin Qendror të Zgjedhjeve bashkë me debatet që procesi prodhoi, na tregon në fakt thelbin e problematikës së forcave tona politike, që gabimisht, apo për forcë zakoni i quajmë parti. Asnjëra nga të ashtuquajturat parti politike në Shqipëri nuk meriton të quhet e tillë, për faktin e thjeshtë sepse nuk plotësojnë asnjë kusht për të qenë të tilla. Një parti politike si definicion është një grupim politik personash me ide e interesa të përbashkëta që synon pushtetin. Këto grupime zgjedhin më të mirët prej tyre për t’u përfaqësuar në jetën politike, parlament, qeveri, bashki, etj. Mirëpo partitë tona politike nuk plotësojnë as kriterin më elementar, zgjedhjen e kryetarit. Zgjedhjen e atij që në fakt është Zeusi i tyre fuqiplotë. Ky Zeus ka në dorë të ngrejë në Olimp të preferuarit e tij dhe ka në dorë të godasë me rrufe e t’i dënojë me harresë ata që nuk kanë kënaqur pritshmëritë e tij. Pëlqimi i kryetarit është i vetmi sistem vlerash mbi të cilat ato ngrihen. 

Jo rastësisht teoria e Lubonjës ngjiti aq shumë. Partitë tona janë thjesht banda. Ato nuk e arrijnë as atë organizim që është vënë re tek mafia italiane, ku përveç kapove, ka edhe një kupolë që drejton e koordinon për interesat e përbashkëta. Në këtë këndvështrim mund të thuhet se Toto Rina nuk ishte mafiozi më i suksesshëm, por përkundrazi, dështimi më i madh në historinë e mafias. Nën drejtimin e tij mafia mori goditjen më të madhe në histori. Ky dështim erdhi ndër të tjera sepse ai eliminoi kupolat dhe vendosi diktatin e tij. Ai u bë Zeusi i mafiozëve që vendoste për gjithçka dhe ai që vendos për gjithçka ka edhe të gjitha meritat për sukseset edhe të gjithë përgjegjësinë për dështimet. 


Kjo është pak a shumë edhe çfarë ka ndodhur me paritë tona. Kryetarët eliminuan këshillat kombëtarë dhe pothuajse zeruan rolin e strukturave drejtuese, duke e përqëndruar pushtetin tek ata vetë. Kjo krijoi kryetarë/Zeus që vendosin për gjithçka dhe për fatin e gjithkujt. Edhe dështimi në fakt do të duhej t’iu faturohej atyre, megjithëse ata ende tentojnë ta gënjejnë opinionin publik me zëvendësime, promovime e largime.

Në Perëndim bazat e demokracisë fillojnë pikërisht tek partitë politike. Këto parti, duke qenë realisht grupime politike elementësh me ide dhe interesa të përbashkëta, nuk presin humbjen e zgjedhjeve për të rrëzuar një kryetar. Nëse vihet re se kryetari po dështon në mes të mandatit, partia ndërhyn dhe me mocion e me zgjedhje të brendshme e rrëzon kryetarin që po dështon, apo qw po devijon nga parimet dhe interesat e tyre. Kjo është gjetur si një zgjidhje funksionale edhe sepse populli normalisht e thotë fjalën e tij njëherë në katër vjet dhe nuk i ka mjetet për të ndërprerë mandatin e një kryeministri. Nëse do të rendisnim këtu kryeministrat e rrëzuar nga partia e tyre në mes të mandatit në Europë, respektimi i formatit të një shkrimi gazete nuk do të ishte i mundur. 

Kjo i jep zgjidhje edhe debatit shqiptar se kryeministri zgjidhet njëherë në katër vjet dhe se teorikisht duhet të durojmë çdo të marrë apo hajdut për katër vjet të plota, sepse nuk ka mënyrë tjetër për ta rrëzuar më parë. Në fakt ka dhe këtë mund ta bëjë partia e tij. Por që kjo të jetë e mundur, atëherë partia duhet të jetë parti dhe jo bandë. 

Të flakurit që e meritojnë flakjen

Sot po flasim për të panjohurit që do të emërohen deputetë, të njohurit që u flakën jashtë, ata që do të duhet të provohen në elektorat sepse nuk janë renditur në pjesën fituese të listës dhe do të duhet të kapërcejnë herësin e partisë për të hyrë në Kuvendin e ri, etj. Mirëpo ky debat është thjesht qesharak. Këta të flakur jashtë listave, disa edhe jashtë partive, në fakt marrin atë çka meritojnë. Kjo i ngjan pak dënimit që Enver Hoxha iu bënte kundërshtarëve të rradhës, me të cilët më parë kishte bashkëpunuar për të eliminuar të tjerë kundërshtarë. Një nga këta viktima ishte ish kryeministri Mehmet Shehu. Mirëpo në fakt Mehmet Shehu nuk mund të konsiderohet viktimë në kuptimin klasik të fjalës. Ai pranoi të ishte pjesë e një partie që rrotullohet rreth një njeriu/Zeusi, i cili vendos për fatin e gjithkujt. Ai jo vetëm pranoi të jetë pjesë e një force represive që kundërshtarin e burgos, e vret, e zhduk, por edhe kontribuoi në ndërtimin e atij sistemi. 

E njëjta gjë ndodh edhe me të flakurit e partive tona politike. Ata pranuan të jenë pjesë e një force politike që rrotullohet rreth një kryetari/Zeus. Ata pranuan atë mënyrë funksionimi, ku fatin e një politikani nuk e vendos përkrahja që ka ai në parti e në popull, por simpatia që ka për të kryetari, simpati e cila vjen kryesisht nga servilizmi e nga nënshtrimi me gjithsej ndaj tij. Ndaj nuk ka gjë më qesharake sot sesa të shohësh se si këta të larguar të rradhës thërrasin për padrejtësi, për skandal, për mungesë sistemi vlerash. Disa prej tyre ishin të panjohurit e djeshëm që u bënë të njohur falë kryetarëve mbretër dhe ishin të lumtur për këtë. Nëse deri dje ishin pjesë e atij sistemi partiak që varet nga humori i kryetarit, sot është fare qesharake të dalin e të ankohen publikisht për padrejtësinë që iu është bërë. 

Madje ka edhe më. Këta kanë një pozicion që është tepër i vështirë për t’u realizuar. Ata paradoksalisht nuk duhet të jenë të papreferuar nga publiku, por nuk duhet edhe të fitojnë shumë popullaritet. Në rast të një popullariteti të tepruar, lideri mund të ndjejë rrezikun e rivalitetit dhe i eliminon. Kjo natyrisht që nuk është e drejtë, por për sa kohë ke hyrë në një lojë me të tilla rregulla, nuk prek askënd kur ankohesh se Zeusi këtë herë e hodhi rrufenë në kokën tënde.




Skip to toolbar